Kryetari i PDSh-së priti ambasadorin suedez, Stefanson
Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, sot në selinë e partisë në Tetovë realizoi takim me ambasadorin e Suedisë në Maqedoni, Mats Staffansson…“Në takim u bisedua për situatën aktuale politike dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Temë e diskutimit ishte edhe debllokimi i proceseve integruese të vendit si dhe demokratizimi i mëtutjeshëm i rajonit. Në takim kryetari Thaçi nënvizoi rëndësinë e integrimit të vendit në NATO dhe në Bashkimin Europian, që nënkupton organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike, si dhe gjetjen sa më të shpejtë të zgjidhjes për çështjen e emrit me Greqinë. Integrimi në strukturat euro-atlantike do të sigurojë stabilitet dhe zhvillim ekonomik të vendit dhe rajonit”– theksoi Thaçi në takim.
Bashkëbiseduesit, sipas kumtesës së PDSh-së, u pajtuan që duhet të jepet kontribut maksimal për proceset demokratike dhe integrimin e vendit në strukturat euro-atlantike, dhe se në këtë drejtim organizimi i zgjedhjeve demokratike dhe rikthimi i dialogut për vazhdimin e reformave të caktuara nga Bashkimi Europian janë me rëndësi të veçantë.
“Ambasadori Staffansson falënderoi kryetarin Thaçi për takimin e zhvilluar, duke uruar që ky bashkëpunim i mirëfilltë me Partinë Demokratike Shqiptare të vazhdojë edhe në të ardhmen”,-shtojnë nga PDSh.