Kurti “harron” veprimin e Konjufcës, thotë se kryeministria nuk merret me organizim të protestave
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti në konferencën për media të mbajtur sot në komunën e Prishtinës, foli edhe për protestën e paralajmëruar nga partia e tij, Vetëvendosje.
Kurti para mediave tha se kryeministria nuk merret me organizimin e protestave, por janë aktivistët e partisë ata të cilët punojnë në këtë drejtim, shkruan lajmi.net.
“Së pari, VV ka organizatën e aktivistëve dhe ata veprojnë, organizohen dhe punojnë. Ne si kryeministri nuk marrim pjesë as në organizim as përgatitje të këtyre aktiviteteve edhe aktiviteteve tjera politike në Kosovë. Ne jemi që të respektohen të drejtat dhe liritë e qytetarëve por gjithmonë në kuadër të masave të cilat janë ndërmarrë. Unë nuk kam kohë që të kryej detyrën e aktivistit të lëvizjes”, tha Kurti para mediave.
Mirëpo, faktet e prezentuara gjatë ditës së djeshme flasin ndryshe. Ndonëse Kurti tha se qeveria nuk merr pjesë në organizimin e këtyre tubimeve, dje aktivistët e VV-së postuan një fotografi nga përgatitjet për protestë, e ku në të shihet edhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca.
Madje, në fotografinë e publikuar nga Valdrin Ahmeti që është aktivist i kësaj partie, u tha se të enjtet janë një lloj “nxemje” në kryeqytet.
“Te enjtet jane njefare nxemje ne Prishtine”, shkruante Ahmeti.
Në tubimin e sotëm të VV-së, ashtu siç është bërë e ditur nga kjo parti, pritet të marrin pjesë deri në 5 mijë persona.
Në lidhje me këtë, është njoftuar edhe Policia e Kosovës e cila do ta monitorojë nga afër këtë protestë. /Lajmi.net/