Kuvend, BDI dhe PDSh zihen për punësimin e studentëve

768
Propozim-ligji për punësimin e 100 studentëve më të mirë nga pesë universitetet më të suksesshme në vend, i cili ndodhet në procedurë parlamentare, është kthyer në përplasje midis përfaqësuesve të BDI-së dhe PDSh-së.
Nga BDI kanë kontestuar mënyrën e votimit të propozim-ligjit në Komitetin për marrëdhënie midis bashkësive, duke kërkuar që i njëjti të kthehet sërish në votim, pasi që, sipas tyre, bie ndesh me amendamentin pesë, tetë dhe dhjetë të kushtetutës, e që kanë të bëjnë me të drejtën për përdorimin e gjuhës, ndërkaq ligji parashikon vetëm njohjen e gjuhës maqedonase.
“Unë mendoj se kontesti që kemi ngritur gjatë ditës së djeshme është në përputhshmëri me amendamentet kushtetuese të cituara dhe për atë arsye mendoj që komiteti duhet të reflektojë në këtë drejtim dhe të mundëson që kjo pikë të kthehet në rend dite dhe akti i votimit për këtë pikë të rendit të ditës të votohet mbi bazë të votimit të dyfishtë”,– deklaroi Talat Xhaferi nga BDI.
Por, nga PDSh akuzuan BDI-në se mënyra e veprimit të tyre politik në këtë moment i ngjan një propagande dhe demagogjie politike.
“PDSh dhe grupi parlamentar që në start e ka kontestuar komplet këtë ligj, sepse jo vetëm që është antikushtetues, por është anti-shqiptarë. Pse keni lejuar që ky ligj të vjen këtu. Në qeveri edhe në Ministrinë për Shoqëri Informatike, sekretari shtetëror është i BDI-së, zëvendëskryeministër kemi aty, ministra keni aty, keni Komision për arsim. Është dashur të bllokohet, fare të mos vjen. Nuk diskutohet se do të votojmë kundër”,– tha Orhan Ibraimi nga PDSh.
Propozim-ligji për punësim të 100 studentëve më të mirë të diplomuar nga universitetet publike në Republikën e Maqedonisë, i parashtruar nga Ministria e Shoqërisë Informatike, ka kaluar në leximin të parë në Komisionin e Kuvendit për arsim, shkencë dhe sport, ndërsa, sipas propozuesit, ka për qëllim që institucionet nga sektori publik në mënyrë të vazhduar të marrin kuadro nga të diplomuarit më të mirë në sfera të ndryshme.
Comments