Ligjvënësit kosovarë kërkojnë përkrahjen e Berlinit për vizat



Një delegacion i Kuvendit të Kosovës, përkatësisht anëtarë të Komisionit për Integrime Evropiane ndodhen për një vizitë zyrtare në Berlin.
Delegacioni i udhëhequr nga kryetarja e komisionit për Integrim Europian, Njomza Emini, dhe anëtarët: Valdete Bajrami, Slobodan Petroviq, Bislim Zogaj, Fatmir Xhelili, Vjosa Osmani, Arben Gashi, Donika Kadaj-Bujupi, Time Kadriaj, dhe Kujtim Paçaku, ka zhvilluar takime të ndryshme në Parlamentin e Gjermanisë, përkatësisht me Bundestag dhe Bundesrat.
Në Parlament janë pritur nga Stephan Albani, Kryesues i Grupit të Miqësisë parlamentare për Marrëdhëniet me Shtetet e Evropës Juglindore.
Emini, së bashku me anëtarët e tjerë të Komisionit, kanë kërkuar nga deputetë të Parlamentit Gjerman që të mbështesin procesin e integrimit evropian të Kosovës, në veçanti procesin e liberalizimit të vizave me qëllim të lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës.
Po ashtu, gjatë këtyre takimeve është kërkuar mbështetja për anëtarësimin e Kosovës në shumë organizata të ndryshme ndërkombëtare dhe rajonale, transmeton Klan Kosova.