Mbyllja e “Jugohromit”, sindikalistët paralajmërojnë bllokada

Mbyllja e “Jugohromit” për shkak të mosrespektimit të afatit ligjor për vendosjen e filtrave ka gëzuar qytetarët e Pollogut, por ka vënë në lëvizje sindikalistët.
Ata kërkojnë që qeveria të hapë “Jugohromin” dhe ky i fundit të vendosë filtrat, gjithashtu kërkojnë që të punësuarit të ruajnë statusin e të punësuarve, e jo siç ka marrë vendim drejtoria, që t’i nxjerrë në pushim të detyruar me 70% të rrogës.
Ata paralajmërojnë protesta të shtunën në pikat e pagesës së autostradës Tetovë-Shkup dhe rrugën anësore.
“Kemi tre kërkesa që janë arsyet kryesore për protestën. Kërkojmë tërheqjen e vendimit për ndalim për punë të “Jugohromit”! Po ashtu kërkojmë që derisa nuk ristartohen furrat, të punësuarit ta ruajnë statusin e të punësuarit dhe të shfrytëzohen mekanizmat të cilat i jep Ligji për marrëdhënie pune! Dhe kërkesa e tretë është e dorëzuar deri udhëheqësia, që në afat sa më të shkurtër të ndërtohet sistemi i filtrimit”,- deklaroi kryetari i Sindikatës për Industri, Energjetikë dhe Miniera, Pece Risteski.