Nesër takimi i ekspertëve në Bruksel, BE-ja nuk e thotë asnjë fjalë
Kosova dhe Serbia të enjten do të takohen përsëri në Bruksel.
Të enjten koordinatori për dialogun me Serbinë, Skënder Hyseni së bashku me Ibrahim Makollin, do të takohen me përfaqësuesit e Serbisë në Bruksel në kuadër të takimit të ekspertëve, takim ky që ishte paralajmëruar javën e kaluar nga përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Mirëpo deri më tani nuk dihet asgjë se çfarë do të diskutohet në këtë takim, përveçse do të jetë takim i ekspertëve të të dyja shteteve.
Të pyetur nga lajmi.net se çka konkretisht do të diskutohet në takimin e së enjtes, nga Bashkimi Evropian nuk kanë dhënë asnjë detaj.
Adam Kaznowski, zëdhënës për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian për lajmi.net, se nuk mund të ndajnë informacione për takimin e ekspertëve dhe se sipas tij, e tëra që mund të thuhet është ajo që Lajçak e ka deklaruar javën e kaluar ku edhe ka treguar për këtë takim.
“Siç edhe jeni njoftuar nga përfaqësuesi Special i BE-së, zotëri Lajçak pas takimit të nivelit të lartë të javës së kaluar, të dy udhëheqësit kanë rënë dakord të vazhdojnë të punojnë intensivisht në nivelin e ekspertëve tashmë javën e ardhshme. Ky takim do të zhvillohet në Bruksel. Kosova dhe Serbia janë të ftuar të dërgojnë ekspertët e tyre për të ndjekur çështjet e diskutuara tashmë në nivelin e liderëve të enjten e kaluar. Ne nuk do të ndajmë informacione të mëtejshme për një takim në nivelin e ekspertëve”, deklaroi për lajmi.net Kaznowski.
Theksojmë se në bazë të kësaj, i bije që ekipi i ekspertëve nesër pritet të diskutojë për çështjen e të pagjeturve, të rikthyerve dhe çështjet ekonomike, tema këto që janë diskutuar të enjten e kaluar në mes të kryeministrit kosovar Avdullah Hoti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Lajmi.net po ashtu ka dërguar pyetje edhe në drejtim të Qeverisë së Kosovës për të kuptuar se çka saktësisht do të diskutohet të enjten në Bruksel, mirëpo zyra për komunikim me publikun nuk ka kthyer asnjë përgjigje.
Po ashtu gjatë së mërkurës kemi bërë përpjekje që të kontaktojmë edhe me Skënder Hysenin, Driton Selmanajn dhe Ibrahim Makollin, por as këta nuk kanë qenë të qasshëm.
Ndryshe të martën kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti e ka emëruar Skënder Hysenin koordinator për dialogun me Serbinë dhe pjesë e këtij ekipi janë edhe Driton Selmanaj e Ibrahim Makolli.
Në anën tjetër gjatë ditës së sotme, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka bërë të ditur se nesër Kosova do të përfaqësohet nga Skënder Hyseni dhe Ibrahim Makolli dhe do të diskutohet për të pagjeturit. /Lajmi.net/


Comments are closed.