Osmani: Anëtarësimi në BE mund të jetë proces i gjatë, por ne do të jemi përherë partner i besueshëm
Presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti sot kanë nënshkruar aplikimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.
Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, Osmani ka e ka quajtur ditën e sotme, datë historike për Kosovën.
“Sot është një ditë historike, ky është një moment historik. 14 dhjetori nga sot ka një rëndësi të dyfishtë në historinë moderne të Kosovës sonë. Në njërën anë po aplikojmë për anëtarësim në BE e në anën tjetër po shënojmë përvjetorin e themelimit të ushtrisë tonë. Të dyja këto akte që shkojnë në drejtim të realimit tonë euroatlantik. Së bashku me kryetarin Konjufca dhe kryeministrin Kurti, në emër të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj po marrim një hap vendimtar drejt jetësimit të ëndrrës tonë kolektive, dhe ambicies tonë të patjetërsueshme.”, është shprehur Osmani.
Këtë moment presidentja ia ka dedikuar të gjithë atyre që kanë sakrifikuar jetën për të mbrojtur idealet për liri.
“Në vigjilje të 15 vjetorit të shpalljes së pavarësisë, ky akt i dedikohet të gjithë qytetarëve të vendit tonë, evropianëve të devotshëm e mbrojtësve dhe promovuesve të vlerave evropiane. Ky moment i dedikohet çdo fëmije, gruaje e burri të Kosovës të cilët sakrifikuan jetën duke mbrojtur idealet për liri, pavarësi e demokraci, derisa u përballëm padrejtësisht me okupim e gjenocid.”, vijon Osmani.
Lidhur me këtë Osmani është shprehur se është e vetëdijshme që ky proces mund të jetë afatgjatë por se beson se Kosova në këtë rrugëtim është përherë një partner i besueshëm.
“Rruga jonë përpara është e qartë, procesi i anëtarësimit në BE nuk është proces i njëtrajtshëm dhe procesi mund të jetë afatgjatë, por ne jemi të vendosur që t’ia dalim me sukses, ne do ta bëjmë pjesën e punës tonë në mënyrë që Bashkimi Evropian ta ketë sa më të lehtë ta bëjë pjesën e punës së vet, në këtë rrugëtim ne do të jemi përherë partner i besueshëm. Në këtë rrugëtim ne do të jemi përherë një partner i besueshëm. Andaj ne sot po bëjmë një hap historik kështu që BE të veprojë sa më shpejt drejt një vendimi historik.”/Lajmi.net/


Comments are closed.