Paqja në Kolumbi, fund konfliktit 52-vjeçar
Presidenti kolumbian Jose Manuel Santos dhe lideri i grupit rebel FARC do të nënshkruajnë një marrëveshje historike të paqes e cila do t’i japë fund konfliktit 52-vjeçar në vend. Kjo marrëveshje pritet të ketë mbështetje në masë të madhe nga popullsia kolumbiane, ndërkohë që presidenti ka pranuar se ri-ndërtimi i vendit do të kërkojë një kohë të gjatë. Bisedimet mes qeverisë dhe FARC kishin filluar që prej katër vitesh, ndërkohë që në 24 gusht, palët deklaruan marrëveshjen finale të paqes.
Presidenti kolumbian Jose Manuel Santos ka deklaruar se paqja me grupin rebel FARC do të nxisë rritjen ekonomike dhe do t’i lejojë vendit të ri-ndërtojë strukturën sociale.
Zoti Santos dhe lideri i FARC, Timoleon Jimenez do të nënshkruajnë marrëveshjen historike të paqes ditën e hënë. Por pavarësisht kësaj arritjeje madhore për vendin, shoqërisë kolumbiane do t’i duhet një kohë e gjatë për ta marrë veten nga konflikti 50-vjeçar.
Si pjesë e marrëveshjes, FARC do të rilindë si një parti politike dhe do të marrë 10 nga 268 vendet në Kongresin Kolumbian. Grupi rebel gjithashtu do të shkëpusë të gjitha lidhjet me trafikantët e drogës si dhe do të ndihmojë bujqit në prodhimin e kulturave ligjore në vend të kokainës.
Ky përparim historik për Kolumbinë vjen pas katër vitesh negociata mes palëve, të cilat ranë dakort se konflikti duhet të marrë fund në mënyrë që të mund të nisë ri-ndërtimi i vendit. Lajmërimi mbi marrëveshjen finale të paqes u bë më 24 gusht.
Presidenti Santos ka shprehur besimin e tij se shumica e kolumbianëve do të votojnë pro-ratifikimit të kësaj marrëveshjeje, pasi sondazhet tregojnë se rreth 70% e njerëzve e aprovojnë procesin e paqes.
Më shumë se 260.000 persona kanë humbur jetën për shkak të konfliktit mes qeverisë dhe grupit rebel, ndërkohë që më shumë se 6 milionë të tjerë janë zhvendosur.