Për herë të parë asnjë rast i ri me Kovid-19 në Kosovë

377

Në Kosovë dje nuk u regjistrua asnjë rast i ri i të infektuarve me koronavirusin e ri, pas 138 testeve të kryera, ndërsa të njejtën ditë janë konfirmuar katër raste të personave, të cilët janë shëruar dhe asnjë rast i vdekjes, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Sipas kumtesës së Institutit për shëndet publik të Kosovës (ISHPK), të publikuar mbrëmë, kjo është hera e parë që gjatë 24 orëve të mos ketë asnjë rast të konfirmuar zyrtar i të infektuarve me Kovid-19, prej se më 13 mars janë zbuluar dy personat e parë bartës të koronavirusit të ri.

Në pajtim me të dhënat e fundit, numri i personave të cilët kanë pasur rezultate pozitive në testimet prej fillimit të pandemisë, mbetet 1.032, ndërsa duke përfshirë edhe katër rastet e djeshme, sipas metodave të Organizatës botërore të shëndetësisë, numri i të shëruarve është 789. Nga koronavirusi i ri kanë vdekur 29 persona, prej të cilëve rasti i fundit ishte më 12 maj.

Në Kosovë në këtë moment zyrtarisht si raste aktive të të sëmurëve nga Kovid-19, konsiderohen 214 persona.

Në laboratorin për mikrobiologji të ISHPK-së deri tani janë kryer gjithsej 13.262 testime të personave për të cilët ka ekzistuar dyshim se janë bartës të virusit të ri.

Comments