Shënohet viktima e parë nga reshjet, evakuime masive në tre qarqe
Një situatë emergjente po zhvillohet në disa zona të Shqipërisë për shkak të reshjeve të dendura dhe përmbytjeve që kanë prekur tokat bujqësore, rrugët dhe banesat.
Autoritetet kanë marrë masa të menjëhershme për evakuimin e banorëve dhe menaxhimin e situatës.
Një person ndërkaq është gjetur pa shenja jete në zonën e Plepave, në qytetin e Durrësit, i cili dyshohet i mbytur, duke shënjuar kështu edhe viktimën e parë nga reshjet në vend.
Forcat e Policisë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe po kryejnë veprimet hetimore për identifikimin e viktimës dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Trupi i pajetë është transportuar në morgun e qytetit për ekspertizë mjeko-ligjore me qëllim përcaktimin e shkakut të vdekjes. Hetimet janë në zhvillim e sipër.
Evakuime të Menjëhershme
Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia e Mbrojtjes Civile njoftuan se për shkak të rrezikut të përmbytjeve, banorët e Njësisë Administrative Novoselë, në Bashkinë Vlorë, do të evakuohen menjëherë. Evakuimi realizohet në koordinim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Prefektin e Qarkut dhe strukturat e emergjencave civile në bashki, sipas Ligjit nr. 45/2019 “Për Mbrojtjen Civile” dhe planeve kombëtare e vendore.
Prioritet gjatë evakuimit kanë fëmijët, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe familjet në zona të izoluara. Transporti do të sigurohet nga mjetet e bashkisë, Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi dhe Forcat e Armatosura.
Banorët e evakuuar do të strehohen në ambiente të përkohshme, ku do të kenë mbështetje për nevojat bazë, përfshirë ushqim, veshmbathje dhe ndihmë mjekësore. Bashkia do të ofrojë gjithashtu informacion të rregullt për situatën dhe masat e mëtejshme.
Bashkia Fier ka dhënë urdhër ndërkaq për evakuimin e menjëhershëm të banorëve të Njësisë Administrative Ferras, për shkak të përmbytjeve dhe rrezikut të menjëhershëm për jetën dhe shëndetin e qytetarëve.
Evakuimi po realizohet në koordinim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), Prefektin e Qarkut, strukturat e emergjencave civile dhe Forcat e Armatosura. Transporti për qytetarët do të sigurohet nga mjetet e Bashkisë, Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, si dhe Forcat e Armatosura.
Prioritet në procesin e evakuimit kanë fëmijët, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe familjet në zona të izoluara.
Menaxhimi i strehimit dhe asistencës për banorët e evakuuar do të realizohet nga Bashkia, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, njësitë e kujdesit shëndetësor dhe strukturat e shërbimeve sociale.
Banorët do të regjistrohen në momentin e mbërritjes në ambientet e strehimit të përkohshëm dhe do të marrin ushqim, veshmbathje dhe ndihmë mjekësore sipas nevojës.
Autoritetet bëjnë apel që qytetarët të ndjekin udhëzimet e strukturave përgjegjëse dhe të kontaktojnë numrin e emergjencave për çdo situatë të rrezikshme. Ky njoftim ka karakter urgjent dhe hyn në fuqi menjëherë.
Ministria e Mbrojtjes dhe Bashkia e Durrësit urdhëruan evakuimin e menjëhershëm edhe të banorëve në njësinë administrative Sukth dhe Katund i Ri.
Në zbatim Ligjit “Për Mbrojtjen Civile”, Planin Kombëtar të Emergjencave Civile dhe Planeve Vendore të Emergjencave Civile, si pasojë e situatës së krijuar nga përmbytjet dhe rrezikut të menjëhershëm për jetën dhe shëndetin e qytetarëve, do të kryhet evakuimi i menjëhershëm i banorëve të njësisë administrative Sukth dhe Katund i Ri, bashkia Durrës.
Evakuimi do të realizohet përmes koordinimit me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), Prefektin e Qarkut dhe strukturat e Emergjencave Civile në bashki.
Situata në Qarqe
Situata më problematike paraqitet në qarqet Shkodër, Lezhë, Vlorë, Durrës, Fier, Berat dhe Gjirokastër. Në qarqe të tjera situata është monitoruar dhe nuk ka rrezik të menjëhershëm. Detajet sipas qarqeve:
Shkodër: Rritje e nivelit të ujit në fshatin Obot, me rreth 60 cm mbi rrugën kryesore. Rreth 15 banesa të rrethuara nga uji dhe rrugë të bllokuara në Malësinë e Madhe dhe Fushë-Arrëz. Evidentuar shkarje dherash dhe rënie gurësh.
Lezhë: Rreth 3,000 ha tokë bujqësore nën ujë, evakuim i dy familjeve, 100 banesa të rrethuara nga uji kryesisht në njësitë administrative Dajç, Babullojë, Balldren dhe Shënkoll. Rrëshqitje dherash në Torovicë dhe Tresh.
Vlorë: Niveli i lumit Vjosë në Novoselë ka kaluar mbi 8 metra; janë evakuuar 13 familje pranë Urës së Mifolit dhe Novoselë.
Durrës: Situata është drejt përmirësimit, por po punohet për largimin e ujit nga rreth 800 banesa dhe objekte, kryesisht në zonën e burgut, ish-Kënetës, Shkozet dhe Nishtullë.
Berat & Fier: Tokë bujqësore dhe banesa nën ujë; ndërhyrje nga forcat e emergjencës për largimin e ujit dhe përforcimin e argjinaturave.
Gjirokastër: Rrëshqitje dherash në aksin Tepelenë-Gjirokastër, qarkullimi i kufizuar, nivele të larta të lumit Vjosë në Memaliaj dhe Përmet.
Në total, janë angazhuar rreth 150 efektivë të Forcave të Armatosura, mbi 20 mjete të tonazhit të rëndë, 10 gomone/motobarka shpëtimi dhe 15 pompa thithëse. Strukturat janë shpërndarë kryesisht në qarqet më të prekura për evakuime, largimin e ujit dhe përforcimin e argjinaturave.
Udhëzime për Qytetarët
Autoritetet bëjnë thirrje për kujdes dhe bashkëpunim:
Ndiqni udhëzimet e autoriteteve vendore dhe Mbrojtjes Civile.
Shmangni lëvizjet e panevojshme, veçanërisht në zona të përmbytura ose me rrëshqitje dherash.
Raportoni çdo situatë rreziku pranë strukturave përgjegjëse.
Bashkëpunoni gjatë evakuimeve për sigurinë e jetës dhe pronës.
Situata monitorohet në mënyrë të pandërprerë dhe strukturat përgjegjëse mbeten në gatishmëri të plotë. Autoritetet apelojnë që qytetarët të respektojnë masat për të shmangur tragjedi të tjera.


Comments are closed.