Serbia më shumë preferon kreditë kineze se ato nga bankat evropiane
Rreth 11 për qind e borxhit të jashtëm të Serbisë përbëhet nga detyrime ndaj Bankës Shtetërore Kineze Export-Import (EXIM), sipas raportit të fundit të tetorit të Drejtorisë për Borxhin Publik, që vepron në kuadër të Ministrisë së Financave të Serbisë.
Serbia aktualisht shlyen më shumë se 10 kredi kineze, të marra kryesisht për projekte infrastrukturore, me një vlerë totale prej rreth 2.8 miliardë eurosh.
Megjithatë, borxhi real ndaj Kinës është edhe më i madh, pasi Serbia ka marrë kredi edhe nga Bank of China, veçanërisht për projekte të infrastrukturës komunale dhe kanalizimeve, sipas buxhetit të Serbisë për vitin 2026.
Banka Kombëtare e Serbisë ka refuzuar t’i bëjë publike të dhënat për borxhin total ndaj bankave dhe shtetit kinez, duke u thirrur në konfidencialitet, ndërsa Ministria e Financave nuk iu përgjigj kërkesave të Radios Evropa e Lirë (REL).
Sipas të dhënave zyrtare, Serbia është më e ekspozuar ndaj kredive të EXIM Bankës kineze sesa ndaj disa institucioneve financiare evropiane, përfshirë Bankën Evropiane të Investimeve.
Politologja dhe studiuesja e investimeve kineze, Sonja Stojadinoviq, thotë se kjo është e pritshme, pasi procedurat kineze janë më të shkurtra, por më pak transparente.
“Kreditë kineze merren më shpejt dhe me më pak kushte politike, por mungon transparenca dhe procedurat e tenderimit publik”, tha ajo.
Angazhimi i kompanive kineze në projektet infrastrukturore në Serbi shpesh është shoqëruar me akuza për shmangie të tenderëve publikë. Autoritetet serbe bazohen në marrëveshjen e vitit 2009 me Kinën për bashkëpunim ekonomik dhe teknik, e cila lejon kontraktime direkte.
Çështja e transparencës u bë edhe më e ndjeshme pas tragjedisë në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, ku në nëntor 2024 humbën jetën 16 persona. Projekti ishte realizuar nga një konsorcium kinez, pa tender publik, dhe aktualisht është nën hetim nga Prokuroria për Krim të Organizuar.
Serbia do ta shlyejë kredinë për këtë projekt deri në vitin 2039, ndërsa borxhi aktual arrin 763 milionë euro.
Sipas Stojadinoviq, autoritetet serbe i preferojnë kreditë kineze sepse nuk shoqërohen me kushte politike, ndryshe nga kreditë evropiane që kërkojnë standarde për zgjedhje, të drejta të njeriut dhe liri mediatike.
Megjithëse kreditë kineze janë mesatarisht 0.5 deri në 1.2 për qind më të shtrenjta, ato shihen si mënyrë e shpejtë për realizimin e projekteve infrastrukturore para zgjedhjeve.
Kina e sheh Serbinë si pjesë të nismës strategjike “Rripi dhe Rruga”, me synim lidhjen e portit të Pireut në Greqi me Evropën Qendrore përmes hekurudhave dhe autostradave.
Përveç kredive, Kina është e pranishme në Serbi edhe përmes investimeve të mëdha në miniera, metalurgji dhe energjetikë, shpesh të shoqëruara me kritika për ndotje mjedisore dhe mungesë llogaridhënieje.
Ekspertët paralajmërojnë se bashkëpunimi Serbi–Kinë përmban shumë “zona të errëta”, sidomos për shkak të kontratave sekrete, mungesës së tenderëve dhe dyshimeve për korrupsion.

