Shoqatat nga Shqipëria solidarizohen me të prekurit nga përmbytjet

225

Fatkeqësia natyrore në Shkup, e cila ditë më parë përveç tragjedive njerëzore shkaktoi edhe dëme të konsiderueshme materiale mbi pronën e qytetarëve, ka nxjerrë në pah anën humane të njerëzve të cilët kanë ardhur në Shkup nga vise të ndryshme për të ndihmuar banorët e zonave të prekura nga përmbytjet që të kapërcejnë problemet me të cilat përballen ata, qoftë me fuqi punëtore apo me dërgesa humanitare, – raporton Anadolu Agency (AA).

Koordinatori i shoqatave dhe kryetari i Shoqatës “Ardhmëria”, Tahir Zeneli, në bashkëpunim me Fondacionin “Mirësia”, Shoqatën “Faktor”, Shoqatën “Ardhmëria” dhe Shoqatën “Nur” që ushtrojnë aktivitetin e tyre në Shqipëri, kanë ardhur në Hasanbeg të Shkupit për të shprehur solidarizimin shpirtëror dhe material me banorët e prekur nga përmbytjet.

“Në momentin e parë kur dëgjuam lajmin dhe pamë pamjet e transmetuara nga këtu, u mobilizuam dhe menduam që përmes ‘Kallirit të Mirësisë’ të shpërndajmë jo më pak se një mijë pako, por pasi pamë gjendjen besoj do të pasojë edhe një fushatë tjetër solidariteti për këtu”, thekson Zeneli i cili shprehet pozitivisht për rolin e mediave në drejtim të sensibilizim të opinionit.

Ai shton se fryma e solidaritetit që ka parë në Hasanbeg i ka bërë përshtypje të jashtëzakonshme.

“Para se të kemi nevojë për disa qese dhe pako kemi nevojë për vëllazëri mes njëri-tjetrit sepse me vëllazëri përballohen situata akoma më të vështira”, thotë Zenel i cili rrëfen se përmes shoqatave të lartpërmendura kanë dhënë ndihmë nga kursimet e tyre edhe shumë të rinj dhe të reja nga Shqipëria.

Comments