TË GATSHËM PËR TRANSFORMIMIN E FSK-SË NË FORCA TË ARMATOSURA



Ministri i FSK-së, Haki Demolli, ka deklaruar se institucionet e Kosovës, janë të interesuar që ta transformojnë FSK-në në Forca të Armatosura të Kosovës dhe për këtë janë të gatshëm për transformimin e saj.
“Çështja e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës ende nuk është vënë në rend dite të Kuvendit, ngaqë nuk ka pasur gatishmëri të komunitetit serb, ndërkohë që ka pasur gatishmëri të pozitës e opozitës dhe deputetëve të pakicave tjera jo serbe”, ka theksuar Demolli në Seminarin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që po i zhvillon punimet në Prishtinë.
“Ne jemi të interesuar që të transformojmë FSK-në në FAK dhe jemi të gatshëm për këtë transformim”, tha ministri Demolli në kuadër të sesionit të katërt të seminarit, temë e të cilit është reforma në sektorin e sigurisë në Kosovë.
Para të pranishmëve, ministri Demolli ka shpjeguar se cilët janë mekanizmat shtetërorë që e mbikëqyrin dhe e kontrollojnë FSK-në.
Po ashtu ka thënë se Kosova ka treguar një sukses jashtëzakonisht të madh, duke shtuar se në dhjetë muajt e fundit nuk ka asnjë kosovar që është identifikuar se ka shkuar në ISIS.
“Unë më përgjegjësi të plotë e them se asnjë ushtar i FSK-së, asnjë ushtarak i Kosovës nuk është i kyçur në ISIS, madje ju e dini të gjithë, që keni dëgjuar gjatë prezantimit të presidentit por edhe gjatë prezantimit të djeshëm të kryetarit të kuvendit, jam i sigurt edhe nesër do ta dëgjoni nga vetë ministri i Punëve të Brendshme, më këtë rast Republika e Kosovës ka treguar një sukses jashtëzakonisht të madh, sipas informatave që kemi nga ministria e Punëve të Brendshme në 10 muajt e fundit nuk ka asnjë Kosovarë të vetëm i cili është identifikuar që ka shkuar në radhët e ISI-it”, ka thënë Demolli.
Edhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie ka deklaruar se NATO-ja nuk duhet të tërhiqet nga Kosova sepse vendi nuk e ka aftësinë e vetëmbrojtjes.
Ai tha se KFOR-i ka qenë i suksesshëm në Kosovë por ende nuk ka përfunduar puna këtu dhe ende situata politike mund të përmirësohet.
Delawie shtoi se është e rëndësishme të mbështesim transformimin e FSK-s në FAK.