Tentim për pezullimin e zgjedhjeve, VMRO dhe LSDM akuzojnë njëra-tjetrën

216
fresco

midle

VMRO-DPMNE dhe LSDM kanë vazhduar akuzat e ndërsjella për ngecjet në zbatimin e Marrëveshjes së Përzhinës dhe pezullimin e vazhdueshëm të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Dy blloqet politike maqedonase akuzojnë njëra-tjetër për një tentim të ri për të pezulluar zgjedhjet e paralajmëruara për më 11 dhjetor.

VMRO-DPMNE thotë se është e gatshme për zgjedhje në dhjetor, por akuzon LSDM-në se po gjen arsye absurde për të shtyrë zgjedhjet.

“Tërë opinioni ishte dëshmitar se pikërisht VMRO-DPMNE-ja ka insistuar dhe insiston në zgjedhje si mënyra e vetme për dalje nga kriza në të cilën LSDM-ja e ka shtyrë Republikën e Maqedonisë. U pastrua Lista zgjedhore dhe ai është, thuaja, identik me Listën me të cilën LSDM humbi me 200 000 vota dallim para dy vitesh. Është formuar trupi Ad-hoc. Ikje nga zgjedhjet për LSDM-në nuk ka më”,- qëndron në kumtesën e VMRO-DPMNE-së.

Mirëpo opozita maqedonase fajëson VMRO-DPMNE-në se po tenton të pezullojë zgjedhjet e paralajmëruara për në dhjetor. Dëshmi për këtë janë veprimet e fundit politike të këtij subjekti, thonë nga LSDM.

“Deputetët dhe “të dëgjueshmit” e të akuzuarit, Nikolla Gruevski, i intensifikojnë obstruksionet ndaj PPS-së me qëllim që të dështojë Marrëveshja e Përzhinës. Deputetët dhe “të dëgjueshmit” e të akuzuarit Gruevski vendosën të miratojnë buxhet për vitin e ardhshëm me qëllim që të provokojnë një tjetër të “hënë të zezë”. VMRO-DPMNE dhe partneri i tyre, BDI, ende nuk e zgjidhin çështjen e hapur për rregullimin e njësive zgjedhore.”- thuhet në kumtesën e LSDM-së, duke shtuar se opozita maqedonase qëndron fuqishëm në qëndrimin se duhet të ketë zgjedhje më 11 dhjetor.

Comments