Teuta Arifi: Tetova mirëpret investitorët e diasporës

286

Moebel THEMA

Kryetarja e Komunës së Tetovës, zonja Teuta Arifi mbajti një fjalim të fuqishëm në korniza të Forumit Ekonomik që u mbajt në Tetovë ku theksoi në përkushtimin e Komunës së Tetovës ndaj thithjes së investitorëve nga mërgata shqiptare.

Arifi theksoi se shumë shpejtë do të hapin një Zyre e cila do të merret me investimet nga mërgata shqiptare dhe e cila do t`i kanalizoje ato në krijimin e vendeve të reja të punës për banorët e rajonit të Pollogut, raporton TetovaSot.

Në fjalimin të cilin po ua prezantojmë të integruar, Arifi shprehu mirënjohje për organizimin e këtij forumi, duke shpresuar se shumë shpejtë mërgimtarët tanë do t`i shohim duke u kthyer në vendlindje për të dhënë kontributin e tyre aty.

“Nisur nga rëndësia e veçantë që ka potenciali i madh njerëzor,kulturor intelektual dhe financiar që ka diaspora jonë në përkrahjen e procesit të zhvillimit demokratik, ekonomik dhe social të shoqërisë sonë, në cilësi të kryetares së Qendrës për zhvillim të rajonit të Pollogut, dhe kryetares së komunës së Tetovës, më lejoni që fillimisht ta shpreh kënaqësinë time të madhe që sot me përpjekjet e përbashkëta të ministrit për investime të huaja,Arlind Zeqiri,  Qendrës për zhvillim të rajonit të Pollogut, GIZ, UNDP dhe Odës ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore u mundësua realizimi i biznes forumit të parë “ Diaspora invest” në Tetovë.

Në kohën kur mërgimtarët tanë masovikisht braktisnin këtë vend për të migruar në shtete demokratike me ekonomi të fuqishme, shkaqet ishin kryesisht politike dhe ekonomike  ndërsa sot në kohën e globalizmit,lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave dhe kapitalit, lëvizja nga një vend në vend tjetër për cilin do motiv është dukuri normale dhe trend botëror. Koha ka ndryshuar dhe sot zhvillimi demokratik dhe proceset integruese tani më janë agjenda kryesore jo vetëm e vendit tonë por të gjitha shteteve të Ballkanit. Qytetarët e vendit tonë fuqishëm mbështesin  anëtarësimin në familjen evropiane ndërsa ky integrim pritet  të prodhojë stabilitet politik dhe mirëqenie ekonomike për të gjithë qytetarët. .Ndoshta nuk është edhe aq larg koha kur mërgimtarët tanë do të kthehen për të jetuar dhe punuar në vendlindjen e tyre sepse siç që ka thënë Abdyl Frashëri, atdheu duhet jo pse është i madh po pse është i yni.

Mërgata jonë tani është ekonomikisht e fuqishme dhe e profesionalizur dhe ka potencial të jashtëzakonshëm për të sjellur në vendin tonë përvojat më të mira të zhvillimit ekonomik dhe social të fituara në shtetet perëndimore që janë në nivel të lartë të zhvillimit demokratik dhe ekonomik dhe si të tilla për ne, janë model për zhvillim të qëndrueshëm shoqëror. Pa dyshim, ekonomia e zhvilluar është shtysë e përparimit të përgjithshëm shoqëror dhe parakusht për ritjen e standardit jetësor të qytetarëve tanë ndërsa diaspora jonë është një motor lëvizës i procesit të ngritjes së mirëqenjes ekonomike dhe zhvillimit demokratik të vendit tonë.

Rajoni i Pollogut ka infrastrukturën e nevojshme dhe burimet  njerëzore që mund të sigurojnë themelimin e bizneseve të mërgimtarëve tanë në vendlindjen e tyre, gjë që do të kontribojë në ritjen e kapitalit të tyre, hapjen e vendeve të reja të punës, sjelljen e praktikave më të mira të të bërit biznes dhe progresin shumëdimensional shoqëror.

Në këtë drejtim dëshiroj të theksoj që në programin tim zgjedhor i cili fitoi besimin e qytetarëve zgjedhjet e fundit lokale kanalizimit të potencialit të diasporës sonë në realizimin e vizionit për Tetovën i është dhënë rëndësi e veçantë dhe si rezultat sot gjendemi në prag të finalizimit të projektit për hapjen e Zyrës ndërlidhëse me diasporën qëllimi i së cilës është pikërisht krijimi i mekanizmit institucional që do të mundësojnë pjesëmarrjen mërgimtarëve tanë në proceset e zhvillimit ekonomik, kulturor dhe social të qytetit tonë. Diaspora ka potencial të madh zhvillimor mirëpo ky potencial ka nevojë të orientohet dhe fuqizohet ndërsa detyra jonë është të punojmë në drejtim të krijimit të ambientit të përshtatshëm për investime të reja.

Si përfundim uroj që ky forum të shërbejë si pikënisje për fuqizimin e lidhjeve mes vendit dhe diasporës  si dhe realizimin e shumë projekteve të suksesshme, partneriteteve të reja të dobishme dhe iniciativave të reja që do të ndikojnë në zhvillimit të përgjithshëm shoqëror.”, deklaroi Teuta Arifi.

Comments