Valë e re shtrenjtimesh në Maqedonia e Veriut: Nafta dhe ushqimet në rritje, paralajmërohet krizë zinxhir

190

Rritja e çmimeve në tregjet globale të naftës si pasojë e luftës në Lindjen e Mesme ka filluar të reflektohet drejtpërdrejt edhe në ekonominë e Maqedonia e Veriut, duke sjellë shtrenjtim të produkteve bazë dhe karburanteve.

Sipas të dhënave të fundit, çmimet e ushqimeve kanë pësuar rritje të ndjeshme – një litër vaj për ngrënie ka arritur deri në 109 denarë, ndërsa 10 vezë shiten deri në 110 denarë. Paralelisht, për të dytën javë me radhë janë rritur edhe çmimet e derivateve: benzina është shtrenjtuar për 12 denarë, ndërsa dizeli për mbi 20 denarë.

Ekspertët ekonomikë vlerësojnë se situata kërkon reagim urgjent nga shteti për të parandaluar një valë të re inflacioni. Qeveria ka bërë të ditur se po monitoron zhvillimet dhe po shqyrton masa si kufizimi i marzheve tregtare deri në 10% dhe 5%, ndërsa në rast të përshkallëzimit të krizës nuk përjashtohet edhe ngrirja e çmimeve të produkteve bazë.

Nga ana tjetër, tregtarët arsyetojnë rritjen e çmimeve me koston në rritje të karburantit dhe transportit, duke theksuar se çdo hallkë e zinxhirit të furnizimit shton kosto që në fund reflektohen te konsumatori.

Edhe Organizata e Konsumatorëve paralajmëron për përkeqësim të mundshëm të situatës nëse nuk ndërhyhet në kohë. Ata kërkojnë masa konkrete, përfshirë kufizimin e marzheve dhe vendosjen e tavaneve të çmimeve për produktet bazë.
Ndërkohë, pas takimit mes kryeministrit Hristijan Mickoski dhe tregtarëve, mbetet për t’u parë nëse zotimet për mosrritje çmimesh do të respektohen në praktikë.

Organizata e Konsumatorëve kërkon kontrolle të rrepta në terren dhe reagim të menjëhershëm në rast të shkeljeve.

Inspektorati i Tregut ka paralajmëruar kontrolle të intensifikuara ndaj prodhuesve, importuesve dhe tregtarëve. Do të verifikohen faturat, çmimet e blerjes dhe mënyra e formimit të çmimeve me pakicë, ndërsa në rast parregullsish janë paralajmëruar sanksione.

Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë vlerësojnë se situata është shqetësuese dhe se rritja e çmimeve të karburanteve do të godasë fillimisht sektorin e transportit, për t’u përhapur më pas në industri të tjera. Ata paralajmërojnë gjithashtu rritje të mundshme të çmimit të energjisë elektrike për shkak të shtrenjtimit të gazit.

Megjithatë, analiza e institutit Finance Think sugjeron se ndikimi i menjëhershëm në inflacion mund të jetë i moderuar, përveç nëse ndodh një ndërprerje e gjatë dhe e thellë e furnizimeve globale me naftë.

Ekspertët paralajmërojnë se nëse tensionet në Lindjen e Mesme vazhdojnë dhe bllokimi i Ngushticës së Hormuzit zgjat, rritja e çmimeve të karburanteve dhe plehrave mund të përkthehet në shtrenjtim të mëtejshëm të ushqimeve, duke prekur drejtpërdrejt standardin e jetesës së qytetarëve./Faktiditor.info

Comments