Vendi më pro-kosovar në botë e rrit presionin mbi Kosovën, Amerika shprehet falënderuese dhe mirënjohëse ndaj Serbisë

204

Muajt e fundit kanë qenë edhe më intensive sa i përket kërkesave drejtuar Kosovës për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Thuajse në të gjitha takimet e zhvilluara në mes përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe atyre të Bashkimit Evropian me palën kosovare apo serbe, pika kyçe e diskutimeve ka qenë pikërisht Asociacioni.

Jo vetëm në tavolinat e diskutimit, kërkesa urgjente për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe Kosovës po i bëhet vazhdimisht edhe përmes deklarimeve të hapura.

Ditë më parë, dy zyrtarët e lartë shtetërorë të Amerikës, Derek Chollet si dhe Gabriel Escobar lëshuan një deklaratë të përbashkët në të cilën bënin thirrje në drejtim të Kosovës që të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Por ndër të tjerash në këtë deklarim të përbashkët u theksua garanci e fuqishme se SHBA janë në mbështetje të Kosovës dhe se Kushtetuta e saj nuk do të cenohet nga ky Asociacion.

“Brenda kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja, Kosova mund të refuzojë opsionet që kërcënojnë strukturën e saj ligjore, por nuk mund të refuzojë zotimet e saj. Si vendi më pro-kosovar në botë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përkushtuara të mbështesin popullin e Kosovës për të siguruar që struktura e saj kushtetuese dhe ligjore nuk cenohet”, thuhet në këtë reagim.

Por për dallim nga ky deklarim i bërë ditë më parë, ku ndër të tjerash theksohej aleanca që SHBA-të kanë me Kosovën, mbrëmë dhe sot të njëjtët zgjodhën fjalët dhe vlerësimet më të mira për Serbinë, që sipas tyre po bën “maksimumin” në arritjen e marrëveshjeve në mes dy shteteve.

Përpos deklarimeve nga takimet që zyrtarët e huaj patën gjatë javëve të kaluara në Serbi, një gjë e tillë është vërejtur edhe së fundi në deklarime publike nga zyrtarët të lartë shtetërorë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Gjatë ditës së djeshme, këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka pritur në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq.

Daçiq i cili njihet për deklarime tejet kontraverse shpesh herë në lidhje me Kosovën, por edhe me vetë Amerikën u prit nga Derek, i cili më pas edhe u deklarua në lidhje me këtë takim.

Ai tha se ky takim erdhi pas bisedës telefonike që u zhvillua në mes sekretarit amerikan të Shtetit, Anthony Blinken si dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

“Konfirmuam miqësinë e kahershme mes SHBA-së dhe Serbisë dhe shprehëm mbështetjen tonë për angazhimin e Serbisë në dialogun me Kosovën dhe përpjekjet për promovimin e paqes dhe sigurisë më të madhe në rajon”, shkroi Chollet.

E mbështetje dhe mirënjohje për Serbinë shprehi edhe vetë sekretari Blinken.

Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinekn, u deklarua në lidhje me bisedën telefonike që pati me Vuçiq, derisa tha se e ka falënderuar atë për angazhimin konstruktiv me ekipin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, të cilët ditë më parë vizituan Serbinë dhe diskutuan për intensifikimin e dialogut dhe arritjen e një marrëveshje Kosovë-Serbi.

Blinken tha se e falënderoi presidentin serb, Vuçiq, për hapjen ndaj propozimit të Bashkimit Evropian.

“Fola me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq për ta falënderuar për angazhimin e tij konstruktiv me ekipin e SHBA-së dhe BE-së javën e kaluar dhe për hapjen e tij ndaj propozimit të BE-së për sigurimin e paqes dhe stabilitetit në rajon, i cili është thelbësor për sigurimin e së ardhmes evropiane të Serbisë”,shkroi sekretari amerikan Blinken, transmeton lajmi.net.

Brenda 24 orëve të fundit falënderues e vlerësues ndaj Serbisë u deklarua edhe vetë ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill.

Ai tha se Serbia ka zgjedhur Perëndimin, e sipas tij marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë po dobësohen dita-ditës.

Hill theksoi se është e rëndësishme që Beogradi i është afruar në mënyrë konstruktive planit të marrëveshjes evropiane me Prishtinën dhe se kjo sipas tij do të ndikojë në shpejtësinë me të cilën Serbia i afrohet Perëndimit.

“Ju mund të shihni se çështja e marrëdhënieve të Serbisë me Rusinë po dobësohet dita-ditës. Mund të shihet se ka një interes në rritje për bashkëpunim me BE-në dhe më shumë interes për bashkëpunim me ne”, deklaroi ai.

Por edhe në këtë rast, Hill nuk ka lënë pa përmendur çështjen e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Sipas Hill, çështja kryesore për përmbushjen e Marrëveshjes së Brukselit është themelimi i Asociacionit.

Sipas tij ka një nevojë urgjente që të gjithë të bien dakord për këtë dhe të kuptojnë se sapo të pranojnë diçka, duhet ta ndjekin atë.

Hill refuzoi të komentojë dokumentet e shumta të publikuara së fundi, e që thuhet të jenë nga marrëveshja evropiane, apo saktësisht nga kërkesa për Asociacion.

Derisa Serbia vazhdimisht ka patur vlerësime të tilla nga Amerika, por në disa raste edhe nga vetë Bashkimit Evropian, Kosova ka vazhduar të jetë e “gozhduar” nga kërkesat e ngjashme me atë të Asociacionit.

Të martën që lamë pas, në objektin e Ambasadë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë u mblodhën përfaqësues të Qeverisë, Presidencës, Kuvendit të Kosovës, partive politike në vend si dhe nga Shoqëria Civile.

Të njëjtit bashkë me përfaqësues serb në Kosovë diskutuan pikërisht në lidhje me kërkesën për Asociacion.

E pavarësisht këtyre diskutimeve, kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka deklaruar hapur se është kundër formimit të një Asociacioni të tillë, e që sipas tij bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës.

Kësisoj kërkesa për Asociacion vazhdon të jetë tejet aktive në drejtim të Kosovës, derisa Serbia vazhdon të ngritet “lartë” nga vlerësimet e falënderimet për bashkëpunim institucional me aleatët e kahershëm të Kosovës./Lajmi.net/

Comments are closed.