Vërshimet u shkatërruan shtëpinë dhe shëndetin
Sytë e Hysen Qailit tregojnë më mirë se fjalët për brengën e tij. Brenga më e madhe nuk është shtëpia e rrënuar në themel, por shëndeti i bashkëshortes që u përkeqësua natën e tmerrshme të 6 gushtit transmeton TVM2.
Uji e mori me vete. Në luftën për mbijetesë ata thyen xhamin e shtëpisë së një të afërmi, por kjo ishte tragjedi më vete për bashkëshorten e moshuar të Hysenit, pasi xhami i preu këmbën dhe kjo më pas la pasoja në shëndetin e saj, pasi qëndrimi në ujin e ndotur për një kohë të gjatë solli infektimin edhe të gjakut të bashkëshortes së Hysenit.
“Tre orë gjakderdhje ka pasur deri sa ka ardhur policia me na marrë, prej në 9 jemi nëpër ujë e deri në orën 3 në mëngjes, kurse këmbën e ka prerë diku në orën 9 apo 9:20. Ajo gjakderdhje 3 a 4 orë, paramendo prej në orën 9 deri në 3…Kemi internuar në njësinë në kirurgji, kanë thënë nuk kemi kirurg, ma kanë kthyer gruan, prapë na thanë hajdeni nesër. Kur kemi shkuar të nesërmen e kemi dërguar privat me i ndihmuar, se dhimbje ka pasur shumë, këmba vetëm se ju ka nxi. Kemi shkuar të hënën, një shqiptarë e ka marrë në dorë dhe katër herë brenda pesë ditëve e kanë bërë operacion, sepse iu ka infektuar gjaku”,- deklaroi kryefamiljari, Hysen Qaili.
Ata jetojnë me një pension të vogël me të cilin mbajnë tetë anëtarë të familjes. Prej këtij pensioni ushqehet edhe vajza me familjen e saj, pasi dhëndri nuk është në gjendje për punë pas tre sulmeve të njëpasnjëshme në zemër.
“Vajza, dhëndri, dy nipat dhe tre mbesa, të gjithë këtu banojmë. Janë të gjithë këtu të lajmëruar, se s’kanë vend e as banesë në Shkup, janë këtu të lajmëruar dhe këtu jetojnë”,- u shpreh kryefamiljari, Hysen Qaili.
Një çantë e vogël, kjo është gjithçka që i ka mbetur. As shtëpi, as të mbjella, as kafshët shtëpiake… Por, shëndeti i përkeqësuar i bashkëshortes nuk i lë shumë kohë Hysenit të merret me hallet e tjera.
Ai kërkon ndihmë vetëm për të ndërtuar një shtëpi të vogël, sa për të kaluar pjesën që i ka mbetur nga jeta.