VOTA SHQIPTARE NË RREZIK, PARTITË HESHTIN, DIMITRIEV: S’KA MË SHTYRJE TË ZGJEDHJEVE
Edhe pse vetëm ¼ prej 39 502 votuesve të kontestueshëm janë paraqitur në KSHZ për të verifikuar të drejtën e tyre për të votuar në zgjedhjet e ardhshme, kryeministri Emil Dimitriev thotë se kohë shtesë nuk ka.
Ai tha se kjo metodë e pastrimit të listës së votuesve ka marr vizën e katër partive nënshkruese të marrëveshjes së Përzhinës, andaj vlerëson se nuk ka më arsyetime që do ti shtyjë sërish zgjedhjet.
“Kjo metodë e pastrimit të listës zgjedhore është në bazë të marrëveshjes mes partive politike. Të gjitha partitë politike që janë të kyçur në këtë proces ishin të vetëdijshëm se në këtë mënyrë do të pastrohen ata 40 000 votues. Unë mendoj se nuk asnjë rrezik apo pengesë, ose ndonjë arsyetim i ri që të anulohen zgjedhjet, sepse kjo metodë e pastrimit të listës është pajtuar me të gjitha partitë dhe pres që të gjithë ta respektojnë”, u shpreh Emil Dimitriev, Kryeministër.
Shumica prej këtyre votuesve të kontestueshëm janë shqiptar. Në zonën e parë zgjedhore, ka më shumë se 11,200 votues të kontestueshëm, në zonën e dytë, mbi 10,500 kurse në zonën e gjashtë më shumë se 11,100. Tashmë as opozita nuk ka gjë kundër që zgjedhjet të mbahen sa më shpejt.
Muaj më parë, lideri i opozitës Zoran Zaev, tha se ka afro 495,000 votues të dyshimtë.
Ai tha se 123 mijë prej tyre janë pa dokumente valide.
“372,000 votues janë të dyshimtë dhe të kontestueshëm. Realisht, unë jam shef i opozitës, dhe them se duhet që diku më shumë se 200,000 votues të kontrollohen në teren, që e gjithë Maqedonia të konstatojë atë që pritet të konstatohet”, tha Zoran Zaev, Kryetar i LDSM-së.
Në terren u kontrolluan vetëm 89 383 votues, kurse rezultati përfundimtar ishte që 39 502 votues duhet që me dokument valid të konfirmojnë të drejtën e votës. Nënkryetari i LSDM-së, Damjan Mançevski, thotë se nuk është qëllimi i kontrollimit të listës zgjedhore, fshirja e votuesve real, por të atyre fiktiv.
“Absolutisht nuk është qëllimi që të fshihet ndonjë votues real, dhe pikërisht për këtë edhe pse afati përfundon sot, do të ketë mundësi që secili të paraqitet nëse diku ka pasur ndonjë gabim, teknik, administrativ, që të rregullojë të drejtën e tij të votës”, shtoi Damjan Mançevski, Nënkryetar i LSDM-së.
Mançevski tha se nuk duhet harruar as 172,000 votuesit të cilët gjenden në listë të posaçme, që sipas të dhënave nuk ndodhën në Maqedoni. Nëse mblidhen me 39,502 votuesit e kontestuar, sipas Mançevskit, del se në Maqedoni nuk ka më shumë se 1,5 milion votues. TV21 kontaktoi BDI-në dhe PDSH-në, por asnjëra s’deshi të komentojë listën e votuesve që finalizohet sonte në mesnatë, kur edhe skadon afati i verifikimit të 39 mijë votuesve të kontestueshëm.