Zgjedhja e anëtarit të pestë, Tahiri: Ofrova profesionalizëm, zgjodhi politika



Profesori universitar, Sefer Tahiri, kandidati i përmendur shumë gjatë kohëve të fundit, e për të cilin flitej se ishte kandidati më serioz për t’u zgjedhur si anëtar i pestë i Komisionit Ad-hoc, e ka quajtur vendimin e liderëve për një emër tërësisht të ri në këtë Komision si procedurë kundërligjore dhe anti-Kushtetuese transmeton TVM2.
Sipas tij, ligji është i qartë në këtë drejtim, u takon anëtarëve të Komisionit ta zgjedhin anëtarin e pestë dhe jo liderëve partiakë.
“Është refuzuar kandidatura ime, sepse VMRO ka kundërshtuar që unë mos të jem aty me frikën që në të ardhmen do të dënoheshin me votën time mediat apo megafonat e VMRO-së. Aspak nuk më ka ardhur mirë që BDI e ka pranuar këtë zgjidhje apo këtë vendim të kësaj partie dhe në fund të fundit ka refuzuar kandidaturën time. Unë kam dashur që përmes kandidaturës time të ofrohem si profesionist në fushën e monitorimit të mediave dhe kam dashur që sadopak të jap një kontribut që monitorimi të jetë i balancuar dhe profesional”,- deklaroi profesori universitar, Sefer Tahiri.
Sipas Tahirit, zgjedhjet nuk do të jenë të lira për shkak të korruptimit të tyre, ku një pjesë e madhe e mediave në Maqedoni financohen me para të qytetarëve dhe para të buxhetit.
Tahiri vlerëson se pas 11 dhjetorit do të ketë një situatë të re politike dhe do të ketë balancim të forcave politike dhe se sistemi mediatik do te jetë më i çliruar.