Zijadin Sela: Astriti nga Kumanova nuk veproi thjesht për një jetë më të mirë, por për një Kosovë më të mirë

Zijadin Sela kryetari i LR-PDSH-së ka shprehur ngushëllimet e tij për vdekjen e Astrit Deharit transmeton Faktiditor.ch.
Më poshtë mund ta lexoni postimin e tij të plotë që ai e ka bërë në rrjetin social facebook për këtë ngjarje të trishtë
Postimi i liderit Sela
“Me dhimbje të thellë morëm lajmin e papritur nga Prizreni se studenti Astrit Dehari kishte ndërruar jetë.
Doja të shpreh ngushëllimet e mia për familjen Dehari dhe Lëvizjen Vetëvendosje për vdekjen në burgun e Prizrenit të djaloshit të tyre Astrit Dehari, 26 vjeçarit me prejardhje nga Kumanova, por që nuk është as i Kumanovës, as i Kosovës, as i Lëvizjes Vetëvendosje dhe as i familjes Dehari. Ai tashmë është biri dhe vëllai ynë, i kohës sonë shqiptare. Ai nuk është një viktimë, ashtu siç nuk ishin viktima studentët e burgosur të demonstratave të 81-shit, siç nuk janë viktima të rënët e luftës së 1999-ës dhe 2001-shit. Ata dhe Astrit Dehari nuk vdesin, por japin jetën për diçka që është më e lartë, për liri, barazi, për komb.
Astriti nga Kumanova nuk veproi thjesht për një jetë më të mirë, por për një Kosovë më të mirë, për demokracinë në funksion të Republikës dhe për republikën në funksion të bashkimit.
Sa herë ndodh diçka e rëndë në Kosovë apo Shqipëri s’ka dyshim se na prek edhe neve këtu në Maqedoni.
Ngushëllime të sinqerta familjes së nderuar. Emri i tij u bëftë flamur!