Vazhdon gjykimi për “Lidhjen ndërkombëtare”
Në Gjykatën Themelore Penale në Shkup sot duhet të mbahet seancë e re për rastin “Lidhja ndërkombëtare” ku janë të akuzuar Bojan Jovanovski-Boki 13, Jasna Mandiq, Frosina Remenski, Mile Jovanovski dhe Hristina Bllazheska për veprat penale “mashtrim” dhe “pastrim parash”.
Në seancën e sotme mbrojtja duhet të vazhdojë të japë fjalë hyrëse.
Procesin gjyqësor e udhëheqë gjykatësja Sofçe Gavrillova-Efremova.
Në seancën e kaluar në fjalët hyrëse, prokurorja Vilma Ruskoska tha se do të dëshmojë se të akuzuarit, me vetëdije i kanë kryer veprat dhe se prej fillimit kjo organizatë është bazuar në gënjeshtra, për t’iu marrë para biznesmenëve Siljan Miceski dhe Ardian Amzoski.
Të akuzuarit, megjithatë, u deklaruan se nuk ndjehen fajtorë për veprat për të cilat akuzohen.
Sipas prokurorisë, të akuzuarit i kanë mashtruar biznesmenët Siljan Miceski dhe Ardian Amzoski se do të marrin pjesë në projekt përmes “Lidhjes ndërkombëtare” të Bojan Jovanovskit dhe i kanë dëmtuar për mbi një milion euro.
Themeluesi i “Lidhjes ndërkombëtare” joqeveritare, Bojan Jovanovski-Boki 13, është dënuar me nëntë vite burg me aktvendim jofuqiplotë për rastin “Reket”, ku akuzohet për “marrje të shpërblimit për ndikim kundërligjor” dhe për “pastrim parash”, së bashku me ish-prokuroren speciale Katica Janeva, e cila u dënua me shtatë vite për “keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar”.


Comments are closed.