28-vjeçari dyshohet se tentoi ta vriste gjyshen e tij
Prokuroria Themelore Publike e Manastirit ka nisur hetim ndaj një 28-vjeçari, i dyshuar se gjatë dhunës në familje ka tentuar t’ia marrë jetën gjyshes së tij në shtëpinë ku jetonin së bashku, përcjell TV21. Ngjarja ka ndodhur më 17 janar në rrugën “Lavçanska Koria” në Manastir.
Sipas prokurorisë, i dyshuari e ka mbyllur derën e shtëpisë dhe e ka goditur viktimën me duar në kokë dhe trup derisa ajo ka humbur ndjenjat, duke i shkaktuar lëndime të rënda dhe duke i rrezikuar jetën. Pas ngjarjes ai është larguar, por është arrestuar shpejt.
“Më 17 janar, pasi më parë e kishte bllokuar dhe mbyllur derën hyrëse të shtëpisë me një sirtar, me duar e ka goditur gruan në kokë dhe trup derisa ajo ka rënë pa ndjenja. Me goditjet i ka shkaktuar disa lëndime të rënda trupore, gjakderdhje dhe shtypje të trurit, thyerje të brinjëve dhe nxjerrje nga vendi të eshtrave, me të cilat jeta e viktimës është vënë në rrezik. Pas ngjarjes, i dyshuari është arratisur, por për një kohë të shkurtër është arrestuar. Prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore në Manastir propozim për caktimin e masës së paraburgimit, për shkak të rrezikut të arratisjes, mundësisë që ai të ndikojë mbi dëshmitarë ose të kryejë një vepër tjetër”, thuhet në njoftim.
Prokurori ka kërkuar paraburgim për shkak të rrezikut të arratisjes dhe ndikimit mbi dëshmitarët. Për shkak të dyshimeve për gjendjen e tij psikike, është propozuar që i dyshuari të dërgohet për vëzhgim dhe ekspertizë psikiatrike në Spitalin Psikiatrik të Demir Hisarit për të paktën një muaj.


Comments are closed.