SHBA-ja ndaloi 21 anije, Irani mbyll sërish Ngushticën e Hormuzit

91

Transmetuesi shtetëror iranian IRIB ka raportuar se rruga kyçe detare “tani është mbyllur sërish dhe kalimi kërkon miratimin e Iranit”.
Në një deklaratë, ushtria pak minuta më parë kishte njoftuar se ngushtica ishte “rikthyer në gjendjen e saj të mëparshme”, sepse SHBA-ja refuzoi të heqë bllokadën detare ndaj porteve iraniane në Gjirin Persik.

Sipas një deklarate të Komandës së Përbashkët të Ushtrisë Iraniane, SHBA-të kanë vazhduar të mbajnë të ashtuquajturën bllokadë detare, pavarësisht marrëveshjeve të mëparshme që parashikonin kalim të kufizuar të anijeve tregtare dhe tankerëve të naftës.

Një zëdhënës i Shtabit Qendror “Hazrat Khatam al-Anbiya” tha se Irani kishte pranuar me mirëbesim lehtësimin e qarkullimit detar në kuadër të negociatave, por zhvillimet e fundit kanë ndryshuar situatën, shkruan skynews.

“Republika Islamike e Iranit, në vijim të marrëveshjeve të mëparshme gjatë negociatave, ka pranuar me mirëbesim kalimin e menaxhuar të një numri të kufizuar të anijeve cisterne të naftës dhe anijeve tregtare përmes Ngushticës së Hormuzit. Fatkeqësisht, amerikanët vazhdojnë të ashtuquajturën bllokadë”, thuhet në deklaratë.

Sipas ushtrisë iraniane, për këtë arsye kontrolli mbi Ngushticën e Hormuzit është rikthyer në gjendjen e mëparshme dhe kalimi detar do të mbetet nën mbikëqyrje të rreptë të forcave të armatosura.

Comments