Gjendja në Gjimnazi i Tetovës po ngre shqetësime serioze për kushtet në të cilat zhvillohet mësimi dhe aktivitetet e nxënësve informon Tetovasot. Ajo që dikur konsiderohej si një institucion elitar dhe simbol i arsimit cilësor në Tetovë, sot, sipas reagimeve publike, po përballet me një realitet shqetësues.
Sipas reagimit të Bajram Rexhepi nga Bashkimi Demokratik për Integrim, ambientet e shkollës janë lënë në mëshirë të fatit. Oborri i mbushur me mbeturina, fushat sportive të shndërruara në parkingje të egra dhe hapësirat e gjelbra që po degradojnë, sipas tij, përbëjnë një realitet të papranueshëm për një institucion arsimor.
Po ashtu, ai thekson se salla sportive e shkollës, e cila duhet të jetë në shërbim të nxënësve, vazhdon të qëndrojë e mbyllur dhe jashtë funksionit, duke ua mohuar nxënësve mundësinë për sport dhe aktivitete fizike.
Në reagimin e tij, Rexhepi kritikon edhe Komuna e Tetovës, duke e akuzuar për mungesë vizioni dhe investimesh në arsimin e të rinjve. Sipas tij, institucionet publike po degradojnë për shkak të mungesës së strategjisë zhvillimore dhe neglizhencës ndaj arsimit.
“Nxënësit dhe fëmijët tanë meritojnë shkolla dhe arsim dinjitoz”, thekson ai, duke bërë thirrje për ndërhyrje urgjente dhe përmirësim të kushteve në këtë institucion arsimor.TS
Postimi i plotë i z.Rexhepi
GJIMNAZI I TETOVËS, NGA INSTITUCION ELITAR NË NJË REALITET TRONDITËS 😔
Shkolla e mesme ku dikur edhe unë mësova, sot është shndërruar në një pamje që të kujton skena filmash horror.
Gjimnazi i Tetovës, dikur simbol i dijes dhe krenarisë, sot është lënë në mëshirë të fatit. Oborri i mbushur me mbeturina, fushat sportive të shndërruara në parkingje të egra, dhe hapësirat e gjelbra që po kthehen në strehë për qen endacakë.
Salla sportive, që duhet të jetë në shërbim të nxënësve, qëndron e mbyllur dhe jashtë funksionit. Fëmijëve u mohohet e drejta për sport, për zhvillim dhe rekreim dhe për një ambient të denjë shkollor.
Kjo është pasojë direkte e një udhëheqjeje pa vizion, pa përgjegjësi dhe pa ndjenjë elementare për arsimin.
Komuna e Tetovës, në vend që të investojë në të ardhmen e të rinjve, është zhytur në korrupsion dhe shërben interesat e një rrethi të ngushtë, mafias urbane, ndërsa institucionet publike degradojnë çdo ditë.
Improvizim, mungesë totale strategjie zhvillimore dhe një realitet i hidhur, korrupsion dhe shpërfillje ndaj arsimit.
Nxënësit dhe fëmijët tanë meritojnë shkolla dhe arsim dinjitoz!

