Agjenti i ICE plagos një emigrant në Minneapolis, protestat dhe tensionet rriten pas vrasjes së 37-vjeçares

113

Një tjetër incident me përdorim arme zjarri nga një agjent i Shërbimit të Imigracionit dhe Doganave të SHBA-së (ICE) u shënua mbrëmjen e së mërkurës në Minneapolis, ku një shtetas nga Venezuela u plagos në këmbë gjatë një operacioni arrestimi.

Ngjarja vjen vetëm pak ditë pas vrasjes së 37-vjeçares Rene Nicole Good, nënë e tre fëmijëve, e cila u qëllua për vdekje nga një agjent i ICE në të njëjtin qytet, duke shkaktuar reagime të forta publike.

Sipas një njoftimi të Departamentit Amerikan të Sigurisë Kombëtare (DHS), incidenti ndodhi pak para orës 19:00 (ora lokale), pas një kontrolli të synuar automjeti, në kuadër të arrestimit të një emigranti të parregullt nga Venezuela. Autoritetet bëjnë të ditur se i dyshuari tentoi të largohej me makinë, u përplas me një automjet të parkuar dhe më pas u arratis në këmbë.

Gjatë ndjekjes, agjenti federal dyshohet se u sulmua dhunshëm. Sipas DHS, dy persona të tjerë dolën nga një banesë aty pranë dhe e goditën agjentin me një lopatë bore dhe një shkop fshese.

Në deklaratë thuhet se, ndërsa agjenti po sulmohej nga tre persona, i dyshuari kryesor u kthye dhe iu bashkua sulmit. “Duke pasur frikë për jetën dhe sigurinë e tij, agjenti qëlloi me armë në vetëmbrojtje”, njofton DHS, duke shtuar se i dyshuari u plagos në këmbë.

Si agjenti, ashtu edhe i plagosuri u transportuan në spital, ndërsa dy personat e tjerë të përfshirë në sulm u ndaluan nga autoritetet.

Incidenti ndodhi rreth 7 kilometra në veri të vendit ku, më 7 janar, Rene Nicole Good u vra brenda automjetit të saj nga një agjent i ICE. Administrata e ish-presidentit Donald Trump kishte deklaruar se agjenti veproi në vetëmbrojtje, duke pretenduar se gruaja përdori makinën si armë. Ky version është kundërshtuar nga autoritete lokale dhe shtetërore, të cilat theksuan se pamjet video tregojnë se automjeti po largohej në momentin e të shtënave.

Pas ngjarjes së fundit, dhjetëra protestues u mblodhën pranë vendit të incidentit, duke shprehur zemërimin ndaj operacioneve të ICE në Minneapolis. Situata u tensionua më tej, ndërsa forcat e sigurisë përdorën gaz lotsjellës për shpërndarjen e turmës.

Minneapolis ndodhet në qendër të politikave të ashpra të emigracionit, me qindra agjentë federalë shtesë të dislokuar në zonë ditët e fundit, çka ka rënduar edhe më shumë klimën tashmë të tensionuar.

Comments