Përkundër asaj se revolta është e madhe tek banorët e Rugovës kur bëhet fjalë për Demarkacionin me Malin e Zi, ata nuk do t’i sulmonin asnjëherë institucionet e Kosovës.Kështu ka thënë në Ora e Fundit në Klan Kosova, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Rrustem Berisha.

Berisha është i bindur për këtë, sepse të premten gjatë ditës ai edhe ka qëndruar në Rugovë, ku ka biseduar me banorët e atjeshëm.

“Rugovasit janë të revoltuar me këtë Demarkacion, i kanë vërejtjet e tyre dhe ka kohë që i kanë cekur, por banorët atje e dënojnë sulmin në objektin e Parlamentit të Kosovës”, ka thënë Berisha.

Deputeti i AAK-së, i cili është edhe ish-ushtarak, thotë se nuk duhet të ketë nguti dhe paragjykim në atë se kush mund ta ketë sulmuar Parlamentin, porse, sipas tij, policia mund t’i gjejë shpejtë kryerësit e veprës.

“Nuk duhet të ngutemi me paragjykime rreth asaj se kush e ka kryer sulmin, i takon policisë ta gjejë fajtorin, por kushdo që e ka bërë, ka bërë gabim, sepse problemet nuk zgjidhen në atë formë. Ata që kanë bërë diçka të tillë duhet të sjellën para drejtësisë. Policia do t’i gjejë kryerësit i kësaj vepre”, është shprehur i bindur Berisha.

Ai nuk është i sigurt as për motivin e këtij sulmi.

“Kosova sot ballafaqohet me probleme të shumta dhe ky sulm mund të lidhet me Demarkacion, por edhe me probleme të tjera, ndaj nuk mund të ngutemi me deklarata”.