Bilanc tragjik pas tërmetit në Itali, të paktën 247 viktima
Sa vjen e rëndohet nga ora në orë bilanci i viktimave të tërmetit që ka shkatërruar qendrën e Italisë. Bilanci i parë pas natës së parë që kaloi duke gërmuar mes rrënojave, flet për 247 të vdekur.
Gjatë natës janë ndjerë rreth 60 lëkundje sizmike, ku magnituda më e fortë ishte 5.17 e shkallës Rihter me epiqendër mes Accumolit dhe Arquatas. Mbrojtja civile e ka të pamundur të përcaktojë numrin e të humburve. Mbrojtja civile bën të ditur se të plagosurit në spital janë 264.
Gërmimet nuk jannë ndërprerë gjatë gjithë natës në Amatrice, Accumoli, Pescara del Tronto dhe Aquata. Ndërkohë janë ngritur kampe strehimi për 2500 të pastrehë.
Instituti sizmik konfirmon një lëkundje të re të tërmeti të regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm në shkallën 4.5 ballë të shkallës Rihter. Sipas specialistëve të këtij Instituti, aktiviteti sizmik vazhdon të jetë ende i fuqishëm në këtë territor.
Tërmeti me magnitudë 6.2 ballësh në orët e para të mëngjesit të së mërkurës goditi në veri të Romës, duke shkaktuar dëme të mëdha në qytetet Accumoli, Amatrice, Posta dhe Arqueta del Trono.