Bugajski: Moska e fut në grindje Ballkanin me parimin “përça dhe sundo”

244


Moska me propagandë dhe provokime do të vazhdojë që të krijojë tensione midis Malit të Zi dhe Serbisë dhe të gjithë fqinjëve në Ballkan, vlerëson analisti amerikan Janush Bugajski në intervistën për gazetën “Pobjeda” të Podgoricës.

Investiguesi i Qendrës për Analizën e Politikave Evropiane paralajmëroi se Moska do të përpiqet që “nga të gjitha kontestet bilaterale në vendet në Evropën Juglindore të bëjë një konflikt latent”.

Bugajski vlerësoi se strategjia me të cilën sillet Moska kundrejt fqinjëve të saj dhe vendeve të Evropës Juglindore është shembull i politikës klasike mbretërore – “përça dhe sundo”.

Ai konsideron se vendet nga rajoni duhet që të zbatojnë tre politika, me qëllim që t’i kundërpërgjigjen strategjisë “përça dhe sundo” të presidentit rus Vladimir Putin.

“Fillimisht duhet që ta përforcojnë ndërgjegjen e opinionit për sulmet politike dhe informative të Kremlinit. E dyta duhet që të vendosin grupe bilaterale pune me shtetet fqinje, të përbëra nga shkencëtarë dhe ekspertë për propagandë kibernetike që të mbrohen nga sulmet. E treta, të gjitha përvojat me propagandën e Kremlinit duhet që të ndahen që të zhvillohen iniciativat rajonale, veçanërisht ato në sferën informatike”, rekomandon Bugajski.

Ai vlerëson se kontestet shumëvjeçare bilaterale në rajon nuk do të zhduken brenda një nate, por edhe se çdo shoqëri nuk duhet që të lejojë konteste të tilla që t’i shfrytëzojnë palët e treta.

Sipas tij të gjitha qeveritë në Ballkan duhet të bashkëpunojnë më afër me SHBA-në dhe BE-në përmes strategjive efektive rajonale në kuadër të së cilave zbuluesit do të ndajnë informacione, do të punojnë së bashku në fushën e sigurisë kibernetike, luftës kundër korrupsionit dhe kontrollit të faturave bankare.

Bugajski beson se integrimi i rajonit në BE dhe në NATO mund të arrijë në 10 vitet e ardhshme.

Comments