Çfarë po ndodh? SHBA-ja dërgon mijëra tanke në depon holandeze të Luftës së Ftohtë


Shtetet e Bashkuara kanë filluar zhvendosjen e mijëra tankeve në një magazinë gjigante në Holandë, një përpjekje kjo për të “penguar” agresionin e mundshëm rus.
Tensionet me Rusinë dhe blindimi ushtarak i NATO-s në Evropë, janë në kulmin e tyre që prej Luftës së Ftohtë, shkruan “Reuters” .
1.600 automjete do të ruhen në një kompleks prej gjashtë deposh në fshatin juglindor të Eygelshoven, pranë kufijve belge dhe gjermane. Objekti në Eygelshoven u hap fillimisht në vitin 1985, gjatë Luftës së Ftohtë, kohë në të cilën u përdor nga trupat amerikane për të mbajtur stërvitje masive ushtarake nga sulme të mundshme sovjetike.
Shtetet baltike, si dhe Polonia, kanë thënë se ndihen të alarmuara në masë të madhe nga kriza në Ukrainë dhe frika e “agresionit rus” në territoret e tyre.
“Gjatë vizitës në shtetet baltike, e kam përjetuar vetë këtë frikë. Duke qëndruar pranë kufirit rus, mund të ndjesh atmosferën e tensionuar – tha gjenerali Tom Middendorp, shefi holandez i mbrojtjes – Por aktivitetet ushtarake ruse nuk janë vetëm një shqetësim për aleatët tanë lindorë. Ata janë një shqetësim për të gjithë ne. ”
Akti Kombëtar i Autorizimit të Mbrojtjes (NDAA) për vitin fiskal 2017, i cili u miratua nga Kongresi më 8 dhjetor, por ende nuk është nënshkruar nga Barack Obama, ka miratuar një plan shpenzimesh prej 3,4 miliardë dollarësh për të rritur mbrojtjen evropiane. /SYRI.net – RT/