Pushteti si mjet presioni ndaj mendimit ndryshe!
Nëse je me mua, je i mirë. Nëse nuk je me mua, të ngre padi.
Kjo formë është keqpërdorim i pastër i pushtetit, një përpjekje për të disiplinuar dhe frikësuar ata që mendojnë ndryshe. Fatkeqësisht, kjo nuk është diçka e re. E kanë bërë pothuajse të gjithë liderët dhe partitë në momente të caktuara.
Është një “sëmundje” e atyre që, sapo vijnë në pushtet, sillen si sulltanë; ndërsa kur e humbin atë, largohen dhe kërkojnë shpëtim diku tjetër.
Nëse ju kujtohen të ashtuquajturat “bombat e Zaevit”, aty u dëgjua qartë se si udhëheqës të etur për pushtet vendosnin për fatin e kundërshtarëve politikë. Raste si Sopoti, Boškovski,
Mladenov, Toshkovski, Liqeni i Smilkovës dhe shumë të tjera mbeten plagë të hapura në kujtesën kolektive.
Për këto procese u përmendën emra konkretë si Gruevski, Mijallkov, Jankullovska dhe të tjerë.
Por përgjegjësia nuk duhet parë njëanshëm. Ka pasur edhe faktorë shqiptarë që, në mënyra të ndryshme tinzare, janë bërë pjesë e këtyre lojërave të pushtetit, duke kënaqur egot e tyre të sëmura.
Sot po shohim forma të reja presioni: shantazhe politike dhe kërcënime publike ndaj liderëve që mendojnë ndryshe nga ish-partnerët qeveritarë. Deklarata si “t’i kapur për veshi” apo “t’i shkatërrojmë në zgjedhje” nuk janë thjesht retorikë – ato krijojnë klimë frike dhe tensioni.
Sot padi ndaj një deputeti të opozitës; nesër nuk dihet ndaj kujt tjetër. Ky është një rrëshqitje drejt një mendësie totalitare, ku pushteti përdoret si mjet presioni dhe jo si shërbim ndaj qytetarëve.


Comments are closed.