Kurti njofton për “darkë pune” me Sorensenin, nuk e përmend askund që kanë folur për dialogun me Serbinë
Asnjë fjalë se kanë diskutuar për dialogun Kosovë – Serbi.
Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës tha se priti mbrëmë Peter Sorensenin, fascilituesin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, por se me të, ndryshe me çka është i ngarkuar ai, kanë folur “për integrimin e Kosovë në BE.”
“Në darkë u diskutua për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, përfshirë linjëzimin e plotë të politikës së jashtme me bllokun 27-anëtarësh si përcaktim strategjik, si dhe angazhimin dhe përkushtimin e Kosovës në përmbushjen e reformave. Në kontekst të integrimit evropian u diskutua edhe për procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës,” shkroi Qeveria e Kosovës në komunikatë për shtyp.
Në takim shihet të ketë pasur me vete Besnik Bislimin, i cili tash shërben në një zyrë për ekspertizë në ZKM, dhe i janë hequr angazhimet për dialogun Kosovë – Serbi, të cilat i janë bartur Glauk Konjufcës dhe MPJD-së.
Komunikata e plotë:
Kryeministri Kurti priti në darkë pune Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së, Sørensen
Prishtinë, 16 prill 2026
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga bashkëpunëtorë, mbrëmë priti në darkë pune Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë – Serbi, Peter Sørensen.
Në darkë u diskutua për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, përfshirë linjëzimin e plotë të politikës së jashtme me bllokun 27-anëtarësh si përcaktim strategjik, si dhe angazhimin dhe përkushtimin e Kosovës në përmbushjen e reformave. Në kontekst të integrimit evropian u diskutua edhe për procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
Kryeministri Kurti dhe Përfaqësuesi i Posaçëm Sørensen biseduan edhe për aktualitetet politike dhe zhvillimet e brendshme.

