Duro: Shqipëria duhet të ruhet nga Hasani dhe Ibraimi

374

maxresdefault

“Shqipëria duhet të ruhet nga shqiptarët e Maqedonisë, ata bëjnë diferencën në fushë”.

Kjo është bindja e Shpëtim Duros, ish-trajneri i Shkëndijës së Tetovës që e njeh mirë Kombëtaren e Maqedonisë. I kontaktuar dje nga “Panorama Sport”, Duro foli për rivalin e kuqezinjve më 5 shtator, si dhe tregoi për miqësinë që ka me trajnerin maqedonas, Igor Angelovski.

 

Ferhan Hasani dhe Besart Ibrahimi janë dy lojtarët që Duro mendon se mund të ndëshkojnë kuqezinjtë. Trajneri, që ka drejtuar me shumë sukses skuadrën nga Tetova, i bëri apel institucionit të futbollit shqiptar që të orientohet drejt Maqedonisë për talentet.

“Jasir Asani nuk është i vetmi, ka shumë talente shqiptare në Maqedoni që e kanë ëndërr Kombëtaren kuqezi, FSHF duhet ta shikojë me përparësi këtë”, thotë ndër të tjera 56-vjeçari.

Çfarë përshtypje ju la Kombëtarja në miqësoren ndaj Marokut?

Mendoj se ishte një test pozitiv për Shqipërinë, duke pasur parasysh që përballë ishte një skuadër shumë e fortë si Maroku. Nuk i lamë hapësira për asnjë moment kundërshtarit dhe, për më tepër, kemi qenë superior në qarkullimin e topit. Sigurisht mund të bënim më tepër në drejtim të sulmit, por megjithatë krijuam më shumë raste se Maroku.

Pas pjesëmarrjes historike në Europian, tashmë nis një edicion tjetër me një grup shumë të vështirë. Është gati Shqipëria për të përsëritur suksesin?

Tashmë futemi në një cikël tjetër dhe puna nis nga e para. E nisim me një kundërshtar si Maqedonia që, në pamje të parë, mendojmë se duhet të kalojmë patjetër, por duhet seriozitet maksimal.

E njoh mirë Kombëtaren maqedonase dhe do një vlerësim të madh nëse synon fitoren. Kanë lojtarë cilësorë, por nuk kanë atë euforinë e Kombëtares sonë. Besoj se ne, me entuziazmin që kemi në skuadër, duhet ta kalojmë.

 

Meqë ju e njihni mirë Maqedoninë, çfarë duhet të ketë më shumë kujdes Shqipëria në këtë takim?

Siç e thashë edhe më lart, ka disa lojtarë shumë të mirë. Dua të veçoj këtu sulmuesin që luan me Shkëndijën e Tetovës, Besart Ibrahimi, si dhe gjithashtu Ferhan Hasanin. Bashkë me kapitenin Pandev, që dihet se kush është, bëhen shumë të rrezikshëm dhe mund të na ndëshkojnë në çdo moment.

Kanë eksperiencë dhe mendoj se janë një ekip që duhen pasur në konsideratë. Nëse flasim për emra, pak a shumë janë në nivelin tonë.

Avantazhi i Shqipërisë është se ka më shumë personalitet dhe besim, për më tepër ka edhe mbështetjen e madhe të tifozëve. Në këtë aspekt jemi më të favorizuar për të fituar, por unë përsëri e theksoj se duhet kujdes. Ata janë një skuadër e ekuilibruar dhe, për më tepër, drejtohen nga një trajner i ri, që është shumë racional.

Sipas jush, Shqipëria duhet të ruhet nga shqiptarët e Maqedonisë…?

Patjetër, sepse janë kualitete. Unë i kam stërvitur dhe tashmë nuk e imagjinoj dot si do të luajnë kundër Shqipërisë. Të them të drejtën, ata janë shumë të apasionuar pas Kombëtares sonë. Jo vetëm Hasani dhe Ibrahimi, por të gjithë shqiptarët në Maqedoni e kanë ëndërr Kombëtaren kuqezi.

 

A mund të ndikojë ngarkesa emocionale tek Ibrahimi apo Hasani?

Ata janë profesionistë dhe do të luajnë ashtu siç dinë. Do të japin maksimumin për fanellën që veshin. Por, e ritheksoj se të gjithë lojtarët shqiptarë në Maqedoni e kanë ëndërr Kombëtaren. Në këtë aspekt, unë i bëj thirrje FSHFsë që të orientohet drejt shqiptarëve të Maqedonisë, pasi ka shumë talente që kanë dëshirë të luajnë me Shqipërinë.

Prisni një Maqedoni që do të luajë për një pikë dhe e tërhequr apo që do të guxojë ndaj Shqipërisë?

Jo, nuk pres të jenë superiorë në lojë ndaj nesh. Maqedonia do të bëjë një lojë të kujdesshme, duke u bazuar te kundërsulmi. Do ta shikoni vetë, që lojën do ta bazoj te Hasani dhe Ibrahimi, duke shfrytëzuar ato pak mundësi që do t’u jepen gjatë 90 minutave.

Një barazim do të ishte si fitore për Maqedoninë. Mbrojtja jonë duhet të jetë shumë vigjilente, por jo vetëm. Pra, duhet ta vlerësojmë shumë Maqedoninë.

Njiheni si mik i trajnerit të Maqedonisë, Igor Angelovski. Keni folur së fundmi?

E njoh mirë dhe për më tepër kemi pasur disa përballje në kampionatin maqedonas. Ai ka drejtuar për tre vite Rabotniçkin dhe mund të them se është një trajner shumë i aftë. Mbi të gjitha është një njeri pozitiv dhe më pëlqen shumë, pasi nuk ka bërë ndasi mes shqiptarëve dhe maqedonasve.

 

Ai ka marrë lojtarët më në formë, qoftë maqedonas apo shqiptarë. Është një trajner që i vlerëson të gjithë lojtarët sipas kontributit. Angelovski është një trajner i ekuilibruar dhe këtë e ka treguar me Rabotniçkin, ku pati sukses të madh në Ligën e Europës, duke kaluar tri ture, e për më tepër eliminuar Trabzonsporin.

Kjo ishte edhe arsyeja që Federata e Maqedonisë i besoi Kombëtaren. Angelovski u merr maksimumin lojtarëve që ka në dispozicion. Jam i bindur që e ka studiuar me detaje Shqipërinë.

Po flitet shumë për talentin e Vardarit të Shkupit, Jasir Asani, i cili është grumbulluar edhe nga Kombëtarja U- 21…?

Është një djalë i ri shumë i talentuar dhe ka bërë shumë mirë Kombëtarja Shpresa që e ka marrë. Në Maqedoni ka edhe shumë të tjerë si Asani, talente të jashtëzakonshëm. Është fakt që Kombëtarja U-21 e Maqedonisë, shumicën e përbërjes e ka me lojtarë shqiptarë.

Comments