Dyshimet për miellin ‘Fellini’, kërkohet ndalimi i shitjes

345

Mielli i bardhë “Fellini” është njëri ndër më të konsumuarit nga familjet në Kosovë. Por, ky miell që shitet në shumicën e marketeve kosovare, sipas Shoqatës së Mullistëve të Kosovës shkakton konfuzitet te konsumatorët.

Kjo shoqatë ka bërë një ankesë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, nga e cila ka kërkuar të hetoj nga vije mielli “Fellini”. Kjo kërkesë vije pasi sipas mullistëve, në tiketat që i bashkëngjitën paketimit, herë figuron që mielli është prodhuar në Gjermani, herë në Bosnja e Hercegovinë e herë në Serbi. Prandaj, ata kanë kërkuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë që përmes Inspektoratit të ndaloj shitjen e këtij produkti, derisa të plotësohen kushtet ligjore që dëshmojnë kualitetin dhe të dhënat që janë në interes të konsumatorit.

Indeksonline ka kontaktuar me kompaninë “Aroma SH.P.K”, që importon miellin “Fellini” në Kosovë, përfaqësues të së cilës kanë treguar nga vije produkti.

“Nuk është e vërtet. Paketimi 5 kg vjen nga Bosnja e Hercegovina siç shkruan në paketim ‘Keso Promet’, është i garantuar dhe i shkruar aty, kurse mielli ‘Premix’ me acid folik është prodhim gjerman që ia qesin ambalazhin vetëm për Kosovë”, kanë thënë ata.

Sipas tyre, këto rrena e kamuflazhe janë bërë për shkak të konkurrencës në treg dhe kualitetit të lartë që ka mielli.

“Këtë gjë e kanë bërë ata për shkak të konkurrencës në treg, këto janë rrena e kamuflazhe, kualiteti i miellit tregon vet. Është i garantuar mielli, nëpër dogana e kudo nuk ka pasur kurrë probleme, kjo po bëhet që një kompani tjetër të hyj vet në treg. Këtë e ka bërë shteti vet”, kanë thënë tutje nga kompania “Aroma”.

Ndërsa në kërkesën që mullistët i kanë bërë MTI-së thuhet:

Shoqata e përpunuesve të grurit e njohur si Shoqata e Mullisëve të Kosovës (SHMK) me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të konsumatorit ju drejtohet Ministrisë suaj me shqetësimin në vijim:

Në tregun e Kosovës është duke u shitur tash e sa kohë një produkt i njohur me brendin “FELLINI” në paketim prej 5 dhe 1 Kg në deklaratën e secilës informatat në lidhje me produktin janë të cekura qëllimisht në formë konfuze dhe të pasaktë.

Ajo që është edhe më e rëndësishme, askund në ambalazhe nuk është cekur se kush është prodhuesi, emri i subjektit prodhues, adresa, etj. Kjo informatë është e obligueshme ligjërisht të jetë e vendosur dhe mungesa e saj lë hapësirë për të dyshuar në këtë produkt jo vetëm në aspektin e kualitetit por edhe në aspektin e ndonjë arsye tjetër të shmangies nga detyrimet e importit!

Se çfarë qëndrim ka MTI-së për miellin e importuar, mirëpo nuk është arritur të merret përgjigje. Kurse Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Mullisëve të Kosovës, Muhamet Farizi ditë më parë kishte thënë se mielli i Serbisë ka filluar të tregtohet në emër të miellit të Bosnjës, duke hyrë kështu në Kosovë pa tatim.

“Nga Serbia ka ardhur miell me çmime damping prej mullinjve më të dobët të tyre. Ministri Industrisë dhe Tregtisë ka marrë masa antidampinge, por mielli i Serbisë ka filluar të tregtohet në emër të miellit të Bosnjës dhe vjen në Kosovë pa tatim, pra Serbia nuk po e respekton marrëveshjen e CEFT-ës. Mielli i ardhur nga Serbia ka cilësi ma të dobët se mielli vendor”, është shprehur Farizi.

Comments