Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë Zoran Zaev, sot u takua me Hristian Helbah, përfaqësues special për Evropën Juglindore në Ministrinë gjermane të Punëve të Jashtme. Në mbledhje është shprehur përkrahje e fuqishme nga Republika e Federatës Gjermane për suksesin e referendumit të ardhshëm dhe të integrimeve euroatlantike të Republikës së Maqedonisë, lajmëroi pres shërbimi qeveritar.
Në kumtesë thuhet se në takim është “konstatuar se Republika e Maqedonisë është shembull pozitiv në rajon për atë se si zgjidhen çështjet bilaterale”.
“Stabiliteti dhe anëtarësimi i Maqedonisë në NATO dhe BE janë të rëndësishme, si për qytetarët e shtetit tonë, ashtu edhe për tërë rajonin. Presim lajme të mira për tërë rajonin dhe për atë është shumë e rëndësishme, procesi që çon drejt integrimeve të Maqedonisë të ketë sukses, me përgjegjësi të treguar nga të gjitha subjektet politike në shtet”, është konstatuar bashkarisht në takim.
Kryeministri Zaev, shtohet në kumtesën e Qeverisë, shprehu besim të madh se qytetarët do të sjellin vendim të drejtë për të ardhmen e tyre dhe të ardhmen e shtetit të tyre më 30 shtator.
“Qytetarët janë të vetëdijshëm se referendumi i ardhshëm është dera drejt të ardhmes më të mirë, standardit më të lartë jetësor, kufijve të sigurt të shtetit, njëherë e përgjithmonë gjuhë dhe identitet të konfirmuar maqedonas, ndërsa atë e sjellin anëtarësimi në BE dhe NATO. Pres ndërgjegjësim nga të gjitha subjektet politike në shtet të cilat ua mendojnë të mirën qytetarëve dhe shtetit, ta përkrahin procesin e integrimeve euro-atlantike dhe ta sigurojmë të ardhmen tonë të përbashkët”, tha kryeministri Zaev.
I dërguari special gjerman Helbah potencoi se zgjidhja e kontestit të emrit është parakusht për integrim të suksesshëm euroatlantik të Maqedonisë.