Gjimnazi “Sami Frashëri” në kushte të rënda

230

Moebel THEMA

272419

Nxënësit e Gjimnazit “Sami Frashëri“ në Kumanovë, të paktën edhe këtë vit shkollor mësimin do të vijojnë në objektin e ish Kombinatit Bujqësor, pavarësisht se Komuna dhe Ministria kishin premtuar se këtë shtator mësimi do të fillojë në objektet e reja tek kazerma e qytetit. Drejtori i këtij gjimnazi Hysen Rrahmani thotë se në një takim me ministrin asokohe të arsimit Abdilaqim Ademi dhe kreun e Komunës së Kumanovës ishte premtuar se shumë shpejtë do të fillojnë punimet për objektin e ri.

“Ka 3 vite nga ai takim, dhe unë kam qenë shumë i bindur dhe kam pat besim se do të kryhet ajo, pasi që është objekti dhe se mund të adaptohet dhe rregullohet, mirëpo edhe sot e kësaj dite nuk është bërë asgjë”, tha Hysen Rrahmani, Drejtor i Gjimnazit “Sami Frashëri”.

Një zgjidhje për këtë problem kërkojnë edhe nxënësit, të cilët thonë se nuk ka kushte për mësim në objektin aktual, ndërsa situata është edhe më e rënduar nga fakti se nën të njëjtin kulm, mësimet i ndjekin edhe paralelet e nxënësve të Shkollës së mesme teknike.

“Nuk jemi të kënaqur aspak me kushtet që gjendemi për arsye se na mungojnë edhe kushtet më elementare”

“Ne si nxënës të kësaj shkolle nuk jemi aq të kënaqur nga kushtet që na ofrohen, për shkak se mungojnë shumë kabinete për lëndë të ndryshme, salla sportive”

“Nuk ka kushte aq të mira për mësim nuk kemi sallë sportive, klasat janë të ngushta , poashtu edhe rruga kryesore bënë të jemi të rrezikuar”

Këshilltarët Komunal topin e hedhin tek Ministria e Arsimit. Ridvan Hasani thotë se prej dy vitesh presin përgjigje nga Shkupi.

“Ne si komunë dhe këshill komunal kemi mbaruar me fazën e parë, tani presim propozime nga ministria për ndryshimin e planit detal urbanistik e cila duhet të kalojë përsëri në këshillin komunal e deri te meremetimi i kazermës”, tha Ridvan Asani, Këshilltar Komunal.

Një vit më parë nga Ministria e Arsimit kishin premtuar se me përfundimin e planit detal urbanistik do të fillojnë edhe punimet. Por sot, një vit më pas, heshtje në këtë dikaster.

Comments