Gratë viktima të dhunës familjare nuk do të munden më të tërheqin deklaratën në polici dhe para gjykatësit. Kjo është paraparë me ndryshimet e Kodit Penal të cilat duhet të miratohen së shpejti në Kuvend. Me ndryshimet në nenin 130, vepra penale “lëndim trupor” do të ndiqet me procedurë zyrtare dhe nuk do të nevojitet fare pëlqimi i viktimës. Mjafton që rasti të denoncohet në polici. Nga shoqata për mbrojtje të grave viktima të dhunës familjare, ESE, thonë se pikërisht për shkak tërheqjes së deklaratave, kallëzimi penal është shndërruar në ankesë dhe nuk ka pasur pasoja për sulmuesit. Sipas Stojan Mishevit nga kjo shoqatë, vetëm në vitin 2025 ka pasur rreth 1080 kallëzime penale e mbi 4200 ankesa.
“Në praktikë shpesh ndodhë që gratë të tërhiqen pasi kanë denoncuar dhunën familjare në polici. E tërheqin nga frika e kryerësve të dhunës familjare, paqartësi për gjendjen dhe të ardhmen e tyre pas shkurorëzimit. Kanë turp nga rrethi ku banon dhe për arsye të shumta ekonomike. Pasi një grua viktimë tërheqë denoncimin për dhunë, ai rast më pas evidentohet si ankesë. Kjo ndodhë në 80% të rasteve. Kështu nuk ka mekanizëm si të ndikohet mbi dhunën familjare. Sulmuesi thjeshtë paralajmërohet që në të ardhmen të mos e përsëritë veprën”, tha Stojan Mishev – Shoqata ESE.
Megjithatë sipas Mishevit, denoncimet dhe kallëzimet penale janë të kota nëse më pas për viktimat nuk sigurohet mbështetje sociale.
“Nëse intervenojmë dhe në të ardhmen lëndimi trupor ndiqet me procedurë zyrtare pa pajtim nga viktima, e pa ndërmarrë masa të tjera nga fusha të tjera, nuk do të ketë përmirësim të gjendjes së grave që kanë qenë viktimë e dhunës familjare. Gratë gjatë periudhës së shpërnguljes ndodhen në një gjendje të pa lakmueshme financiare, kur kujdesi ndaj fëmijëve bie mbi ta dhe janë në gjendje që nuk mund ti mbulojnë harxhimet si rezultat i dhunës familjare. Kanë të ardhura më të ulëta, humbin vendin e punës, kanë harxhime mjekësore për lëndimet që kanë marrë, harxhime për ndryshim të vendbanimit”, u shpreh Stojan Mishev – Shoqata ESE.
Për shkaktuesit e dhunës familjare me pasojë lëndime trupore parashihet nga gjashtë muaj deri në pesë vjet burg. /Alsat.mk

