Hoti për padinë e partisë së pushtetit ndaj Mehemtajt: Demokracia duhet të mbrohet, jo vetëm me mbështetje në rrjete sociale
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar sa i përket padisë së partisë në pushtet për gazetarin Lirim Mehmetaj.
Hoti tha se ne jemi të gatshëm që ta mbrojmë lirinë e shprehjes, dhe ti bashkohemi çdo lloj proteste që i del në mbrojtje gazetarit Mehmetaj dhe të tjerëve që flasin lirshëm, që flasin sipas bindjeve të tyre.
Postimi i plotë:
Gjuha e urrejtjes që ka përdorur partia, e cila tani është në pushtet, ndaj kujtdo që e ka kritikuar sa ishte në opozitë ka shtyrë turmat: të dëmtojnë objektin e Qeverisë, të dëmtojnë veturat zyrtare para Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, të djegin veturat private të disa zyrtarëve, të linçojnë zyrtarë të shtetit e të partive politike, gazetarë e analistë.
Askush nuk është thirrur në përgjegjësi për gjuhën e urrejtjes dhe nxitjes. Bile po lirohen edhe për gazin lotësjellës të hedhur në Kuvend, të cilin veprim e ka parë gjithë bota përveç gjykatës.
Tani merren me një gazetar, i cili është i pa kompromis ndaj qeverisjes së mbrapshtë që ka katandisur vendin në armiqësi me botën demokratike.
Unë jam me gazetarin Lirim Mehmetaj. Unë do t’i bashkohem çdo proteste që i del në mbrojtje atij dhe të tjerëve që flasin lirshëm, që flasin sipas bindjeve të tyre.
Demokracia duhet të mbrohet, jo vetëm me mbështetje në rrjete sociale. Ne nuk guxojmë të mbyllim sytë para këtyre veprimeve. /Lajmi.net/

