Ja sa haxhinjë do nisen nga Maqedonia
Si çdo vit tjetër, edhe këtë vit besimtarët muslimanë të Maqedonisë shprehin interesim të madh për të kryer një ndër kushtet e Islamit, Haxhin. Sekretari i përgjithshëm i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë (BFI), Irsal Jakupi, bëri të ditur se këtë vit për kryerjen e Haxhit janë paraqitur 720 persona, ndër të cilët tre janë fëmijë të moshës dhjetë vjeçare dhe një i moshuar 83 vjeçar.
Në krahasim me vitin e kaluar, Jakupi veçoi se numri i pelegrinëve gati është dyfishuar. Ai theksoi se organizimi i vajtjes së besimtarëve në Haxh realizohet vetëm nga BFI-ja, duke mos u përfshirë asnjë agjenci private.
“Shpresojmë që do të kalojmë mirë. Jemi përpjekur që pelegrinëve t’u sigurojmë kushte sa më të mira. Hoteli ku do të qëndrojmë në Mekë është rreth 500 metra në afërsi të Qabes, ndërsa hoteli në Medine jo më shumë se 100 metra nga hyrja e xhamisë së Pejgamerit a.s.”, tha Jakupi.
Pelegrinët për kryerjen e kushtit të pestë të Islamit paguajnë 3.400 euro, mirëpo në krahasim me vitet tjera ata do të udhëtojnë vetëm përmes linjës ajrore, edhe atë vajtja Shkup-Xhide, ndërsa kthimi Medine-Shkup. Jakupi njoftoi se përgatitja e besimtarëve këto dy ditë do të përfundojë dhe do të ndahen në dy grupe të cilët do të nisen më 1 dhe 2 shtator, ndërsa do të kthehen më 23 dhe 24 shtator.
“Të gjithë pelegrinët e Maqedonisë kanë status të barabartë, pa marrë parasysh gjendjen ekonomike të tyre. Për këtë arsye kemi vendosur që vajtja dhe kthimi të realizohet vetëm me linja ajrore, që të kryejnë Haxhin në kushte të përbashkëta dhe të njëjta, pa mos dalluar asnjë pelegrinë”, u shpreh Jakupi.
Në kuadër të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, në mesnatën e cila lidh 2-3 shtatorin, 860 besimtarë muslimanë do të shkojnë në Haxh për t’i kryer obligimet e tyre fetare. Këtë vit nga Shqipëria dhe Mali i Zi janë rreth 360 kandidatë për haxhinj. Ata do të nisën në dy grupe, ku grupi i parë pritet të niset më 2 shtator dhe i dyti më 3 shtator.