Kosova vendos dogana shtesë për produktet bujqësore, Bekteshi: S’kemi qenë të informuar në kohë

382

Hyrja në fuqi e doganës prej 30 për qind për import të prodhimeve bujqësore në Kosovë….

Hyrja në fuqi e doganës prej 30 për qind për import të prodhimeve bujqësore në Kosovë nuk nënkupton luftë tregtare ndërmjet Maqedonisë dhe Kosovës, kështu theksoi ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, gjatë takimit me ministrin e zhvillimit rajonal të Kosovës, Rasim Demirin. Bekteshi theksoi se bazuar në Marrëveshjen e CEFTA-s, pala e Maqedonisë nuk ka qenë e informuar me kohë për zbatimin e kësaj mase, kurse premtoi se do të angazhohet që në bashkëpunim edhe me palën kosovare të ulen për të gjetur një zgjidhje.

“Qeveria e Kosovës gjatë ditës së djeshme ka marrë vendim për mbrojtjen e produkteve bujqësore në Republikën e Kosovës, ku ka vendosur një doganë prej 30 për qind, por kjo nuk ka të bëj vetëm me Maqedoninë, e cila, është me rëndësi të potencohet se kjo ka të bëjë me të gjitha shtetet që eksportojnë produkte bujqësore në Kosovë. Unë si ministër jam i interesuar, marrë parasysh marrëdhëniet e mrekullueshme të cilat i kemi me Kosovën, që të ulemi t’i analizojmë bashkë të gjitha mundësitë me të vetmin qëllim, që t’i mbrojmë prodhuesit në Maqedoni dhe Kosovë”,- theksoi ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

DEMIRI: VENDOSJA E MASËS SYNON MBROJTJEN E PRODHIMEVE VENDORE

E sipas ministrit kosovar, Rasim Demirit, futja në fuqi e kësaj mase ka për qëllim të mbrojë prodhuesit kosovarë të prodhimeve bujqësore.

“Vendimi nuk ka asgjë kundër Maqedonisë dhe qëllimi i saj është që të mbrohen prodhuesit kosovarë të prodhimeve bujqësore. Mendoj se masa është analizuar mirë dhe vlerësoj se do të jetë në interes të prodhuesve tanë dhe se do të ketë ndikime pozitive”,- deklaroi ministri për zhvillim rajonal të Kosovës, Rasim Demiri.

Vendimin e palës kosovare, nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore e quajtën të përshpejtuar. Sipas tyre, vendosja e masave të tilla është në kundërshtim me parimet e tregtisë së lirë.

“Republika e Kosovës paraqet një nga partnerët më të rëndësishëm të Maqedonisë dhe vlerësojmë se masa e tillë nga ana e Qeverisë së Kosovës është e përshpejtuar dhe se duhet të bëhen analiza më të sakta dhe sa realisht do të ketë kjo vlerë në ekonominë e tyre. Vendosja e masave të tilla është në kundërshtim me parimet e tregtisë së lirë dhe duhet analizuar se kjo masë e qeverisë është në kundërshtim me rregullat e CEFTA-s. Sipas informatave që kemi, edhe bizneset e Kosovës kanë nevojë për produktet e Maqedonisë dhe kjo masë e këtillë nuk i ka gëzuar as ato e as ne. Duhet të rishqyrtohet ky qëndrim i qeverisë dhe të shihen hapat në të ardhmen”,- theksoi Drilon Iseni nga OEMVP.

Në lidhje me masat që mund t’i marrë edhe Maqedonia kundrejt Kosovës, Bekteshi theksoi se së pari do të analizohen të gjitha implikimet e mundshme ndaj prodhimeve të Maqedonisë, ndërsa pastaj do të ndërmarrë qëndrim se a do të vendosen kundërmasa. (Zekirja Mexhiti, TVM2)

Comments