Krasniqi: Zgjedhjet në Maqedoni duhej mbahen me një listë zgjedhore, Maliqi: Mungon vullneti partive për të bërë një platformë të përbashkët të interesit madhor mbipartiak

116

 

Situata në Maqedoni në prag të zgjedhjeve të 11 dhjetorit nuk po kalon dhe e qetë. Në fillim të muajit nëntor, gjegjësisht më datën 7 persona të panjohur kanë thyer xhamat e dritareve të shtabit të Lidhjes Socialdemokratike të Maqedonisë në Haraçinë të Shkupit.

Ndërsa një incident tjetër ishte edhe ai i ditëve më parë në Kumanovë, ku një grup dhunuesish tentuan ta ndalonin takimin e të parit të BDI-së, Ali Ahmetit me qytetarët e kësaj komune.

Ndonëse partitë politike shqiptare në këtë shtet deklarativisht angazhohen për uljen e tensioneve, disa nga to kanë filluar një propagandë të fuqishme, e këtë po e bëjnë edhe nëpërmes rrjeteve sociale.

Por për spektrin politik shqiptar në Maqedoni pas apeleve të njëpasnjëshme të deputetetëve, politikanëve e analistëve kosovarë, të cilët kërkojnë unisimin dhe gjetjen e një gjuhe të përbashkët të tyre, me një mesazh bërë përmes Zhurnalit vjen edhe Ish Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi.

Krasniqi thotë se partitë shqiptare në Maqedoni do të duhej të dilnin me një listë zgjedhore, në të kundërtën sipas tij çdo formë tjetër defaktorizon shqiptarët e këtij shteti.

“Partitë shqiptare sikur të mendonin për qytetarin shqiptar, në zgjedhjet për Kuvendin e Maqedonisë do të duhej të dilnin me një listë zgjedhore. Vetëm kështu shqiptarët do të bëheshin faktor i rëndësishëm në politikën e Maqedonisë. Çdo formë tjetër e “pluralizmit” partiak i defaktorizon shqiptarët në Republikën e Maqedonisë. Shqiptarët atje duhet ta nxjerrin mësimin e duhur, nga parcializimi i deri sotshëm”, shpehet ai për Zhurnal.

Në anën tjetër analisti kosovar, Shkëlzen Maliqi mendon se shqiptarët në Maqedoni, përfshirë partitë dhe votuesit nuk kanë treguar vullnet për të bërë një platformë të përbashkët të interesit madhor mbipartiak.

“Liderët nuk kanë qenë në gjendje të formulojnë as listën e parimeve themelore që legjitimon interesin e shqiptarëve karshi palës tjetër. Ashtu sikundër që janë disa parime rreth bashkëpunimit maqedono-shqiptar, duhet të ketë edhe parime të pakapërcyeshme ndër shqiptarët. Por kjo shkon vështirë dhe mbetët që të shihet a janë të vetëdijësuar edhe votuesit për këtë, gjë që unë dyshoj se e ka arritur masën kritike”, shprehet Maliqi për Zhurnal.

Ai më tutje shton se nëse në zgjedhjet e 11 dhjetorit do të ketë ndryshime në lidership, atëherë do të ishte një hap dekurajues.

“Problem është se nuk ka alternativë seriozë për Ali Ahmetin e as Menduh Thaçin, e ata janë pothuajse të papajtueshëm. Nëse në zgjedhjet e ardhshme do të ketë të paktën lëvizje dhe sinjal të fortë për nevojën e ndryshimit të lidershipit, do të ishte zhvillim inkurajues. Po le të shohim se çka do të ndodh dhe nga do të vijë tronditja e domosdoshme për prishjen e balancit të keq dhe moçalit”, përfundon analisti kosovar.

Ndryshe dy blloqet e reja të koalicionit të përbëra nga partitë etnike shqiptare do të konkurrojnë përballë BDI dhe PDSH zgjedhjet e 11 dhjetorit.

Comments