Analiza/Sfida e Trumpit për të bashkuar kombin amerikan

Pas rreth 2 muajsh Donald Trump do të jetë zyrtarisht presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara. Një nga sfidat kyçe të tij do të jetë balacimi i premtimeve të bëra në fushatë mbështetësve tij me nevojën për të shëruar plagë që u hapën dhe shqetësuan mjaft amerikanë pikërisht për shkak të kësaj retorike. Analistët thonë se emrat që zoti Trump do të zgjedhë për kabinetin e tij do të tregojnë shumë se çfarë tonesh kërkon t’i japë ai qeverisjes.
Fitorja impresionuese e Donald Trumpit u duket ende një ëndërr disa prej mbështetësve të tij dhe ai menjëherë përcolli një mesazh pajtimi në fjalimin e tij të fitores. “Mendoj se ka ardhur koha që të bashkohemi” – tha Donald Trump .
Por fitorja e zotit Trump u zbeh prej protestave nga Oregoni dhe Kalifornia në perëndim, në qytetin e ti, në Nju Jork dhe Masaçuset në lindje. “Jam i zhgënjyer, por ky më tremb” thotë një nga pjesëmarrësit në protestat kundër presidentit të zgjedhur.
Pas zgjedhjeve janë shënuar disa incidente që kanë patur në shënjestër pakicat dhe myslimanët, diçka rreth së cilës zoti Trump u pyet gjatë emisionit “60 Minuta” të rrjetit CBS. “Më trishton të dëgjoj një gjë të tillë, ndaj them ndalni, nëse ndihmon”-tha Donald Trump.
Tejkalimi i ndarjes politike është shqetësim edhe për presidentin Barak Obama. “Është shumë e rëndësishme të përpiqemi të shpërndajmë mesazhe bashkimi, të mbërrijmë me to tek grupet e pakicave, gratë apo tek të tjerët që u shqetësuan nga përmbajtja e fushatës”- tha presidenti Obama
Politika u trazua sërisht pasi zoti Trump nisi përzgjedhjen e qeverisë së tij, përfshi kryetarin e partisë republikane Reince Priebus si shefin e kabinetit dhe Stephen Bannon si këshilltarin e tij kryesor, një gazetar i diskutueshëm, I identifikuar me krahun e djathtë ekstrem. Prova kryesore e Trumpit është përzgjedhja e ekipit qeverisës thotë John Fortier i qendrës së politikave mbipartiake. “Procesi i përzgjedhjes së stafit është shumë i rëndësishëm në Shtetet e Bashkuara dhe si një kandidat që vjen nga jashtë politikës, ai nuk ka lidhjet tradicionale dhe njerëzit e duhur që një administrate duhet të ketë”.
Por aftësia e zotit Trump për të inkurajuar shërimin e kombit ka më shumë të bëjë me tonin e retorikës së tij, thotë Molly Reynolds e institutit “Brookings”. “Kemi ndjesinë e Trumpit që kemi parë në fushatë dhe kemi një version të zbehtë të Trumpit që vjen kohë pas kohe. Dhe pyetja është nëse ajo formë e tij që pamë gjatë fushatës elektorale do të shfaqet sërisht kur ai të jetë në krye të Shtëpisë së Bardhë. Këtë nuk dimë!” Në javët që vijnë pritet që zoti Trump të bëjë publike emrat e kabinetit të tij. Ata që ai do të të përzgjedhë do të nënvizojnë edhe tonin që do të përdorë si president i ardhshëm (VOA).
Ekipi i Trump nuk po “nxiton” me emërimet e Kabinetit/Një zëdhënës i Presidentit të zgjedhur Donald Trump, tha se ekipi tranzitor “nuk do të nxitojë” që të paraqes kandidatët e mundshëm të Kabinetit. Jason Miller tha se ekipi i Trump dëshiron që të jetë i sigurt se përzgjedhja e tyre do të mund të konfirmohet nga Senati dhe se do të zbatojë vizionin e presidentit të zgjedhur. Miller ju tha gazetarëve në Kullën Trump në New York se Presidenti Barack Obama nuk e kishte të krijuar “gjithë kabinetin e tij brenda javës së parë” pas zgjedhjes më 2008. Ai tha se ekipi tranzitor ka një “plan shumë solid” dhe se po ndërmerr “qasje metodike” për të plotësuar Kabinetin Trump dhe Shtëpinë e Bardhë.
Dita – Trump dhe axhenda e republikanëve në kongres/Udhëheqësit republikanë të Kongresit janë duke premtuar veprime të guximshme, pasi presidenti i zgjedhur Donald Trump të fillojë mandatin, ndërkohë që demokratët po kritikojnë një nga anëtarët e parë të personelit të presidentit të sapozgjedhur që do të punojë me të në Shtëpinë e Bardhë. Protestat e udhëhequra nga studentët kundër Presidentit të sapozgjedhur, Donald Trump janë shtrirë deri te ndërtesa e Kongresit, ku Paul Ryan u emërua për një tjetër mandat për postin e Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve. Ai foli për suksesin e partisë republikane në zgjedhjet e fundit. “Mirë se vini në agimin e një qeverie të re të bashkuar republikane. Kjo do të jetë një qeveri e fokusuar në kthimin e fitores së presidentit të sapozgjedhur Trump në një përparim real për popullin amerikan. Ekipi ynë është shumë entuziast, dhe ne mezi presim të fillojmë nga puna”. Republikanët duan të ulin taksat, të shfuqizojnë pjesë të mëdha të ligjit të kujdesit shëndetësor të presidentit Barak Obama, dhe të eliminojnë disa rregulla kufizuese ndaj ekonomisë. Ata janë të kënaqur që zoti Trump, e jo demokratja Hillary Clinton, do të plotësojnë vendin bosh në Gjykatën e Lartë. “Ne do ta miratojmë shpejt emërimin e ri në Gjykatën e Lartë,” thotë John Cornyn, senator republikan nga Teksasi. Demokratët thonë se presidenti i sapozgjedhur Trump pati një fillim të tmerrshëm të punës së tij me zgjedhjen e zotit Steve Bannon si këshilltar të tij kryesor politik. Zoti Bannon drejton një faqe interneti konservatore që shërben si një platformë për ndjenjat nacionaliste të të bardhëve dhe kundër pakicave. “Ky është një njeri që ka shprehur ndjenja raciste, seksiste, anti-semite, kundër komunitetit LGBT etj. Pikëpamjet e këtij njeriu nuk kanë vend në Shtëpinë e Bardhë,” tha Debbie Stabenow, senatore demokrate nga Miçigani. “Për aq kohë sa një kampion i ndarjeve racore është një hap larg Zyrës Ovale, do të jetë e pamundur që të merrën seriozisht përpjekjet zotit Trump për të bashkuar vendin,” tha Harry Reid, senator demokrat nga Nevada. Republikanët thonë se zoti Trump ka të drejtë ta zgjedhë vetë ekipin e tij. “Ne mbajtën zgjedhjet. Populli amerikan votoi dhe zgjodhi presidentin e tij të ardhshëm,” tha senatori republikan, John Cornyn. Nuk ka shenja të pakësimit të protestave kundër zotit Trump. “Unë jam i shqetësuar se ai do të ndërtojë murin, do të shfuqizojë ligjin e kujdesit shëndetësor dhe se si do të bëhet vendi ynë në katër vitet e ardhshme,” thotë protestuesi Oleado Ukeekwe. Republikanët nuk e dinë nëse presidenti i zgjedhur Trump do ta ushqejë, apo do ta shuajë retorikën e tij polarizuese që e ndihmoi atë në ditën e zgjedhjeve. Retorika polarizuese mund ta shfokusojë, ose pengojë axhendën e ngjeshur legjislative pas ceremonisë së inaugurimit të tij.