Lëvizja Besa: Ndaleni kancerin e mushkërive në Pollog

108

Moebel THEMA

protesta-tetove-804x380

Tema e ajrit të ndotur në Pollog vazhdon të mbetet alarmante. Se sa shqetësuese është situata në Pollog tregojnë të dhënat që i publikon Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, se përqendrimi i grimcave të pluhurit në ajër ka filluar tashmë paralajmërimin e ardhjes së ditëve të tmerrshme të ndotjes së ajrit.

Edhe pse vjeshta ende zyrtarisht nuk ka ardhur, tashmë vërehet rritje disa herë më shumë e përqendrimit kancerogjen të grimcave PM-10 në ajër: javën e kaluar ajri në Tetovë kishte 125 mikrogramë për metër kub ose 2 herë e gjysmë më shumë se kufiri i lejuar. Prej 250 ditëve që kaluan, tetovarët në 206 ditë kanë thithur ajër të ndotur, kurse gjatë tërë vitit nuk është e lejuar të ketë më shumë se 35 ditë të tilla. Derisa të mbretërojë kjo gjendje, mjekët propozojnë që fëmijët, pleqtë dhe të sëmurit kronikë të mos qëndrojnë nën qiell të hapur, kurse të tjerët t’i reduktojnë lëvizjet dhe aktivitetet e tyre në zonat e qytetit ku ajri është më i ndotur. Siç dihet, Ministria ka deklaruar se grimcat PM-10 vijnë si rezultat i komunikacionit të ngarkuar, ngrohjes me dru dhe industrisë, mirëpo origjina e ndotjes me këto përmasa në Tetovë ka vetëm një emër dhe ajo është fabrika e përpunimit të metaleve “Jugohrom”, e cila gjendet vetëm 15 km larg Tetovës.

Të përkujtojmë se, për shkak të ndotjes së ajrit, nxënësit e shkollave të qytetit në Tetovë në vitin që lamë pas nuk mbajtën mësim, kurse sëmundjet kancerogjene në Tetovë dhe Pollog pothuajse janë bërë epidemi.

Të gjendur në këtë situatë, i bëjmë thirrje Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Komunës së Tetovës që ta marrin seriozisht këtë alarm dhe të mos e ndihmojnë rritjen e kancerit të qytetarëve të Pollogut.

Comments