Ministria e Brendshme hedh poshtë deklarimet e avokatëve të grupit të Kumanovës, se klientët e tyre janë keqtrajtuar gjatë transportit për në gjykatë dhe anasjelltas. Sipas qëndrimit të Ministrisë së Brendshme, i akuzuari Valdet Zekaj nuk është keqtrajtuar. Pavarësisht se hetimi i MPB-së është bërë i njëanshëm duke shpërfillur palën mbrojtëse, dikasteri i Agim Nuhiut konsideron se ndaj të akuzuarve për terrorizëm në rastin “Lagja e Trimave”, nuk është konstatuar dhunë. Edhe pse e kërkuam raportin e Kontrollit të brendshëm, MPB nuk na e mundësoi.
“Nga bisedat që kemi zhvilluar me zyrtarët policorë dhe të policëve në burgje të cilët kanë marrë pjesë në transportimin e të akuzuarve, por duke u bazuar edhe në video incizimet nga transportimi i të akuzuarve nga burgu për në gjykatë dhe anasjelltas është konstatuar se gjatë gjithë kësaj periudhe nuk ka pasur kontakt as verbal dhe as fizik mes policëve dhe të akuzuarve, aq më tepër të jenë përdorur mjete për të ushtruar dhunë”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Nga MPB-ja shtojnë se as në regjistrat e ambulancave nuk janë evidentuar paraqitje të të akuzuarve të cilët janë ankuar për gjendjen e tyre shëndetësore. Së fundi është keqtrajtuar i akuzuari Nasuf Beqiri, ndërsa kohë më parë, avokatët mbrojtës deklaruan publikisht edhe emrat e klientëve të tjerë keqtrajtuar.
“Duhet ta cekë që në seancën e kaluar, pas një kohe vazhdojnë maltretimit ndaj grupit, konkretisht ndaj klientit tim Valdet Zekaj”, tha Mefail Arsllani, avokat .
Edhe pse policia thotë se nuk ka keqtrajtime ndaj të akuzuarve, Alsat ka siguruar dokumente relevante ku mbrojtja ka njoftuar gjykatësen e lëndës Verka Petkovska se klientët e tyre ankohen për gjendjen shëndetësore si pasojë e dhunës policore. Ndonëse MPB-ja thotë se nuk është konstatuar dhunë, i pari i kësaj ministrie Agim Nuhiu kohë më parë njoftoi se është duke hetuar keqtrajtimet.
“Për një procedurë që e kemi iniciuar që në shtator, kemi arritur të sigurojmë edhe fakte për të cilat mendoj se janë relevante. E kemi informuar edhe Prokurorinë Publike që të iniciojë procedurë penal”, deklaroi kohë më parë Agim Nuhiu, Ministër i Brendshëm.
Nga Prokuroria Publike nuk ka asnjë zhvillim në drejtim të zbardhjes së këtyre rasteve. Prej mbi 50 seancave gjyqësore të zhvilluara për rastin “Lagja e Trimave”, vetëm në 10% prej tyre të akuzuarit nuk janë ankuar për brutalitet policor./alsat-m/