SHBA, Clinton mbajti të fshehtë diagnozën për pneumoni

413

image

Kandidatja demokrate për presidente të Shteteve të Bashkuara, Hillary Clinton ia ka mbajtur të fshehtë pjesës dërrmuese të stafit të saj diagnozën për pneumoni, duke ua treguar vetëm familjarëve dhe bashkëpunëtorëve të ngushtë.

Zonja Clinton ishte e shqetësuar se, lajmi për sëmundjen e saj do të keqpërdorej nga rivalët politikë. Ajo u diagnostikua të premten dhe mjekët i sugjeruan që të pushonte, por ajo vazhdoi fushatën e saj.

Zyra e shtypit e ish-zonjës së parë u detyrua ta publikonte diagnozën të dielën, kur ajo u largua në gjendje të fikti nga ceremonia përkujtimore e viktimave të 11 Shtatorit.

Duke folur të hënën vonë për CNN, zonja Clinton tha se, tashmë ndihej “shumë më mirë”.

Ajo sqaroi për transmetuesin amerikan edhe arsyen përse nuk e kishte publikuar më parë diagnozën duke thënë: “Thjesht nuk mendoja se do të ishte një gjë kaq e madhe”.

Kandidatja demokrate tha se e kishte injoruar këshillën “e mençur” të doktorit për të pushuar për 5 ditë dhe shtoi se shpreson t’i rikthehet angazhimeve të saj “në ditët e ardhshme”. /Top Channel/

Comments