Shuhet familja me 4 anëtarë në aksident, fëmija i vogël niset me urgjencë drejt spitalit të Traumës
Mësohen të tjera detaje nga aksidenti tronditës i mbrëmjes së sotme në Rrugën e Kombit, në aksin Milot-Rubik, ku humbët jetën katër anëtarë të së njëjtës familje nga Kosova.
Nga aksidenti ka mbetur dhe një fëmijë i plagosur, i cili është nisur në gjendje të rëndë drejt Spitalit të Traumës.
Shkak i aksidentit tragjik dyshohet të ketë qenë lagështira në rrugë, që ka çuar në devijimin e makinës nga Kosova, në momentin e përplasjes me kamionin.
Ndërkohë, dy prej pjesëtarëve të familjes kanë ndërruar jetë në vend dhe dy të tjerë kanë ndërruar jetë rrugës për në spital. Në mjet kanë qenë dy prindërit dhe tre fëmijët, ku fatkeqësisht ka shpëtuar vetëm fëmija i vogël.
Lezhë/Informacion paraprak
Në aksin rrugor Milot-Morinë, në afërsi të një karburanti në Rreshen, mjeti tip “Citroen” me të cilin udhëtonte një familje kosovare është përplasur me mjetin tip kamion me drejtues shtetasin I.I.,banues në Kosovë.
Për pasojë kanë humbur jetën drejtuesi i mjetit tip “Citroen” , bashkëshortja e tij dhe 2 fëmijët dhe është plagosur fëmija i mitur, i cili është transportuar në spitalin e Traumës Tiranë.
Grupi hetimor në vendngjarje punon për sqarimin e plotë të shkakut dhe rrethanave të ngjarjes.