Tërmeti në Itali: Shpëton motrën, vdes 8 vjeçarja

269

 

Një vajzë 8 vjeçe humbi jetën nën gërmadhat e tërmetit në Pescara del Tronto duke u hedhur me trup në mbrojtje të motrës më të vogël.

Giulia Renaldo sakrifikoi veten për motrën. Kjo është një nga historitë që ka prekur zemrat e shumë banorëve të fshatit që u rrafshua nga tërmeti 6.2 i shkallës Rihter.

Dy vajzat u gjetën nën gërmadhat e shtëpisë, por vetëm njëra mbijetoi. Gjyshja e tyre, Angela Cafini nuk ka më lot.
‘Giulia vdiq duke mbrojtur motrën. Iu hodh dhe e pushtoi. Kjo është arsyeja e vetme që e vogla është ende gjallë. Nuk ka asnjë gërvishtje sepse e gjithë pesha e shtëpisë ra mbi Giulia”, thotë Angela.

Historia e heroizmit të vajzës 8-vjeçare vjen në një moment kur numri i të vdekurve po shkon rreth 250.

Gjyshja 64-vjecare tregon se vajza e saj, Michaela dhe dhëndri Fabio ndodheshin në fshat për vizitë ne shtepine e saj, banesë e vendosur në rrëzë të një kodre, shumë pranë epiqendrës së tërmetit fatal. Familja kishte mbërritur tek gjyshja për disa pushime larg Romës, transmeton BalkanWeb, përcjellë Klan Kosova.

Vetë Angela ishte vendosur tek shtëpia tjetër e nënës së saj të ndjerë për t’i lëshuar banesën familjes të së bijës. Ajo thotë se, vajza dhe dhëndri kishin marrë plagë të mëdha dhe u dërguan në spitalin, Ascoli Pinceino.

‘Ishte një tmerr. Ata nuk kishin dijeni mbi fatin e vajzave. Mua më larguan nga fshati sepse lëkundjet vijonin dhe na mbanin larg banesave të shembura. 15 orë pas tërmetit, mësuam se u gjetën vajzat. Njëra e vdekur, tjetra e gjallë”.

‘Humbëm shumë jetë, humbëm shumë fëmijë. Ka ende të humbur nën rrënoja. Shumica kishin ardhur nga Roma për pushime. Erdhën dhe gjetën vdekjen këtu”, thotë Angela, tronditja e së cilës nuk kalon as në castet që flet.

Comments