Vetëvrasjet e mistershme të shtyra nga fajdet

125

Moebel THEMA

auto_2016-09-25-um-11-34-451474796384

Dhjetëra faqe përgjimesh ku përshkruhen kërkesat dhe lutjet për t’i ndaluar obligimet, nuk i kishin mjaftuar gjykatës për të dëshmuar se vetëvrasjet e Murat dhe Petrit Mehanës nga Mitrovica ishte motivuar nga veprimtaria e fajdeve.

Në korrik të 2011-ës Murat Mehana nga Mitrovica ishte vetëvrarë në afërsi të fshatit Bajgorë të Mitrovicës.

Në orën e tij të fundit ai kishte dërguar një mesazh te personi tek i cili detyrohej duke e lutur t’i ndërpritej kamata e fajdes.

“NN sonte mas largu kan 8 po t’i kryj qato 3 mijë, e nëse më ki jaran fol me NN dhe NN dhe nali për dy muaj kamatat se 4 mijë euro në mujt po më bjen e nuk muj,” shkruhet në kallëzimin penal.

Një orë më vonë Murat Mehana kishte qëlluar veten duke lënë prapa një mister të madh – “arsyen e vetëvrasjes”.

Pesë javë më vonë i vëllai Petrit nga dhimbja për tragjedinë e të vëllait kishte varur veten në litar në shtëpinë e tij.

Katër vjet pas ngjarjes i vëllai Afrim Mehana ka rrëfyer në Emisionin  “Drejtësia në Kosovë” për motivet që i dërguan vëllezirit e tij drejt vetëvrasjes.

Pas luftës familja Mehana kishte nisur të fitonte para nga biznesi i tyre i ndërtimit të shtëpive, por siç rrëfen Afrimi, vëllezërit e tij ishin futur në obligime tek fajdexhinjtë.

“Rasti jonë është pak specifik sepse direkt pare me fajde nuk kanë marrë po kanë filluar t’u i dhanë kerre edhe kur nuk ka mujt me pagu shumën komplet ia ka ofru gjysmën e shumës. Ata gjysmën nuk e kane marrë edhe kanë fillu fajdet”, rrëfen Mehana.

Familja besohet se ra viktimë e një sistemi të ngritur me vite në Kosovë ku parave të marra me fajde u shumëfishohen kamatat në rast mospagese.

“Fajdet kanë qenë prej 10 për qind deri ne 100 përqind. Për 10 ose 15 mijë euro vëllai im ka paguar shumën prej 100 deri në 200 mijë euro,” rrëfen Afrimi.

Ai e ka të pamundur të llogarisë shumat e paguara, por i kujtohet se pas vdekjes së vëllezërve fajdexhinjtë i kishin bërë me dije se familja u detyrohej atyre edhe 47 mijë euro.

 Paaftësia për të dëshmuar

Vetëvrasjet e Muratit 30 vjeç dhe Petritit 28 vjeç sipas dosjes së prokurorisë kishin për motiv detyrimet e papërmbushura të fajdeve. Pretendimet e prokurorisë në këtë rast nuk janë provuar asnjëherë para gjykatës. Në mungesë provash gjykata në vitin 2014 kishte liruar nga akuza katër persona të dyshuar si përgjegjës të rastit.  Që nga ajo kohë për shkaktarët e vetëvrasjeve nuk është nisur ndonjë hetim i ri. “Në rastin e familjes Mehana ka qenë e ngritur një aktakuzë nga ana e një prokurori vendor, këtë lëndë me vonë e ka marrë prokuroria e EULEX-it dhe kjo lëndë ka përfunduar në gjykatën e EULEX-it këtu në Mitrovicë me aktgjykim lirues ndaj katër të akuzuarve”, theksoi Shyqeri Syla duke mos dashur të flasë për fajtorët e kësaj ngjarjeje.

Drejtori i policisë në Mitrovicë Nehat Thaçi, i cili ishte shfaqur në publik si organizatori i disa aksioneve policore kundër grupeve të fajdeve, pranon se në regjionin e tij po vazhdon veprimtaria ilegale.

“Burime apo informacione të pakonfirmuara tregojnë së ekzistojnë edhe viktima tjera. Nuk mund të flas me numër mirëpo ekzistojnë, janë dy apo tri kategori. Ka aso kategorish që e mbajnë shumë fshehtë nuk e diskutojnë as me familjarë as me të afërm, ka aso kategori që kur kanë ardhur para një falimentimi financiar fillojnë me u anku para të afërmve apo shokëve të tyre”,  thotë Thaçi.

Sipas tij, mungon bashkëpunimin i këtyre njerëzve me policinë, sepse rastet si këto të fajdeve “mbahen të fshehta”.

“Ne si polici e kemi problem sepse  qytetarët e prekur nga kjo kategori nuk vijnë te ne. Ne jemi ata që u ofrohemi këtyre viktimave për me bashkëpunu me policinë, po prapë nuk vijnë. Arsyet nuk i di, ndoshta është fenomen në vete pse nuk bashkëpunojnë”, theksoi Thaçi.

Comments