Zendeli: Jam dëshmitar se si u manipulua anketa e publikuar në Tv Telma
Funksionari i Lëvizjes Besa, Shaban Zendeli, tregon se ka qenë dëshmitar i drejtpërdrejtë i manipulimeve që bën instituti “M Propsekt” gjatë anketimit të qytetarëve. Zendeli thotë se e kanë thirrë nga ky institut për ta përfshi në anketë dhe nga kërshëria ka pranuar. Ai ka mbetur i habitur, kur anketuesi ka filluar ta pyesë vetëm për katër parti politike, duke përjashtuar partitë tjera. Për të bindur opinionin në vërtetësinë e thënies së vetë, Zendeli ka publikuar edhe numrin e celularit të personit që e ka anketuar.
“Më datë 28.11.2016 aty kah ora 12:30 më lajmërohet ne telefonin celular person i cili prezantohet se është nga agjencia M PROSPEKT (nr.tel 071259662), me kërkesë që të bëhem pjesëmarrës ne anketim. Pranova qe te jem bashkëbisedues i tij. Ne fillim pyetjet ishin te përgjithshme dhe ishte gjithçka në rregull. Kur filluan pyetjet për cilën parti, e pastaj për cilin kandidat do të votoni, doli në shesh se bëhet fjalë për hulumtim të opinionit publik që ka për qellim të manipuloje me qytetarët. Ne pyetjen se për cilën parti politike do te votoni më 11 dhjetor, vet ai i numëron se mes cilave parti mund te zgjedh unë edhe atë: LSDM, VMRO, PDSH e BDI, në momentin që përgjigjen e merr se do të votoj për subjekt politik tjetër apo koalicion, ai reagon “ama cekaj toj subjekt voopshto ne e vo anketniot list zarem postoi i taa politicka partija”. Njësoj ishte edhe te pyetja për cilin kandidat do të votoni. Në moment që thua për një kandidat që nuk është në katërshen e partive “të Përzhinos ” përsëri kemi reagimin, ne rregull do ta shënojmë se nuk e kemi në liste”, sqaron Zendeli.