ZENDELI: TA RUAJMË FRYMËN POZITIVE

326

zendeli

Kontaktet mes partive jashtëparlamentare nuk kanë munguar asnjëherë por pse nuk arrihet deri te një bashkëpunim opozitar është çështje që duhet diskutuar, kështu vlerëson kreu i RDK-së, Fadil Zendeli në emisionin “Arena” në TV Shenja.

Sipas tij, deklaratat e liderit të LR-PDSH-së, Zijadin Sela në emisionin “Arena” të para dy ditëve, nuk i sjellin dobi frontit opozitar. Edhe nëse nuk do të arrihet një bashkëpunim opozitar, Zendeli deklaron se duhet të mos krijohen armiqësi mes subjekteve të reja politike.

“Unë kam komunikuar me z.Sela, para një muajsh jam takuar kemi pirë kafe, jam takuar edhe me gjeneralin Ostreni, tanimë nënkuptohet që jemi në koalicion me Lëvizjen BESA. Gjithë partitë në njëfarë mënyre komunikojnë njëra me tjetrën, ka pasur komunikime ndërmjet kryetarëve të partive. Ne duhet të bisedojmë në drejtim të këtij fronti opozitar, por t’i lejmë mundësi edhe alternativave tjera, të paktën të mos krijojmë armiqësi njëri me tjetrin”, deklaroi Zendeli.

Ai vlerëson se nëse ruhet fryma pozitive ndoshta edhe mund të arrihet bashkëpunimi opozitar, por edhe nëse nuk arrihet një gjë e tillë, mjafton të mos ketë armiqësi mes subjekteve të reja opozitare, që kështu të ketë energji për ta luftuar të keqen e përbashkët VMRO-BDI.

I pyetur se si do të garojë në zgjedhje RDK-ja, Zendeli tha se ata nuk heqin dorë nga legjitimiteti që e kanë në këtë subjekt politik.

“Të gjitha strukturat partiake janë me ne. Nga Kuvendi, kryesia qënrore, të gjitha degët në të gjitha qytetet shqiptare në Maqedoni janë atje ku kanë qenë. E gjithë kryesia qëndrore e cila është edhe në vendimin gjyqësor, janë të njejtit persona, i vetmi ndryshim ka ndodh te kryetari”, deklaroi Zendeli.

Sa i përket mënyrës se si do të garojë në zgjedhje, Zendeli tha se është i vetëdijshëm se në aspektin juridik është hendikep, por vlerëson se kjo problematikë mund të tejkalohet.

Comments